Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari, ka njoftuar sot se dërgimi i Ligjit për provimin e Jurisprudencës, ka marrur ngjyrën e gjelbërt, për vlerësim në Komisionin e Venecias.
Postimi i plotë, nga Shasivari:
“Një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së provimit të jurisprudencës!
Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi nevojën për marrjen e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias për modelin e ri të propozuar nga Ministria e Drejtësisë.
Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem që garanton mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët, duke ruajtur të njëjtat kritere profesionale dhe standarde të provimit.
Në kuadër të këtij procesi, raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me institucionet, partitë parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e organizatave studentore. Gjithashtu, do të organizohen demonstrime praktike të pjesës me shkrim në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe të pjesës me gojë në Ministrinë e Drejtësisë.
Vlerësimi i Komisionit të Venecias do të jetë një garanci shtesë që zgjidhja ligjore të mbështetet në Kushtetutë, argumente juridike dhe standarde evropiane.
Vazhdojmë me përgjegjësi dhe përkushtim për një zgjidhje të drejtë, profesionale dhe të qëndrueshme, në interes të të gjithë kandidatëve!”.















Comments are closed