Dokumenti i datës 27 gusht 2019, i nënshkruar nga Talat Xhaferi, është dëshmi e qartë se problemi rreth provimit të jurisprudencës nuk është rastësi, por pasojë e neglizhencës dhe tradhtisë politike, thonë nga VLEN-i. E akzojnë Xhaferin se si kryetar i Parlamentit, atëherë nuk ka kërkuar harmonizim të ligjit për provimin e jurisprudencës me dispozitat e gjuhës shqipe. Për këtë kanë reaguar nga BDI-ja. Thonë se baza ligjore për shqipen ekziston, njofton Portalb, shkruan Pollogu.news.
“Edhe më dëshpëruese është fakti se ky ligj u votua me Badenter, pra edhe me votat e deputetëve shqiptarë të asaj përbërje, të cilët kishin obligim kombëtar të kërkonin që provimi të mbahej edhe në shqip. Ata e votuan ligjin, duke i lënë sot qindra studentë shqiptarë të vuajnë pasojat e një padrejtësie të dyfishtë”, thuhet në kzmtesën e VLEN-it.
Nga VLEN-i e publikuan edhe konkluzionin e propozim-ligjit për provimin e jurisprudencës nga vitin 2019, i nënshkruar nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit Xhaferi, duke theksuar se ai e ka shpallur ligjin të pranueshëm, duke përjashtuar gjuhën shqipe nga provimi.
“BDI, që për më shumë se 20 vite ka pasur pesë ministra të drejtësisë nga radhët e saj, nuk e zgjidhi kurrë këtë problem. Sot, ata derdhin lot krokodili dhe dalin në mbrojtje, por dokumentet flasin qartë: ky problem mban vulën e Talat Xhaferit dhe të politikës së tyre”, potencojnë nga VLEN-i.
Në reagimin e BDI-së thuhet se ekziston baza juridike për provimin e jurisprudencës, por, siç thonë, nuk ekziston dinjiteti politik i VLEN-it.
“Pasi studentët e drejtësisë i demaskuan me protestë, pasi opinioni publik e pa pafuqinë e tyre në qeveri, tani kanë dalë me një mashtrim të ri: po mundohen ta hedhin fajin te e kaluara, vetëm që të fshehin dorëzimin e tyre në të tashmen. Le ta sqarojmë prerë: Në atë ligj nuk ekziston fare dispozitë për gjuhën. As ndalim për shqipen. As rregullim për maqedonishten. Asnjë klauzolë gjuhësore. Pra, po gënjejnë me vetëdije. Për më tepër, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e ka rregulluar qartë këtë çështje. Neni 23, paragrafi 5, përcakton se nëse ligjet tjera nuk harmonizohen brenda afatit ligjor, mbizotërojnë dispozitat e këtij ligji. Kjo do të thotë se baza juridike ekziston, e drejta ekziston, obligimi ekziston. Ajo që nuk ekziston është dinjiteti politik i VLEN-it”, thonë nga partia opozitare.
Nga BDI-ja potencojnë se përfaqësuesit e VLEN-it në vend që të kërkojnë zbatim të ligjit, ata kërkojnë justifikime.
“Në vend që të mbrojnë studentët shqiptarë, ata mbrojnë Ministrinë që ua mohon të drejtën. Në vend që të përballen me padrejtësinë, ata sulmojnë ata që e ngritën zërin. Kjo është fytyra reale e tyre: dekor shqiptar në qeveri, funksion kundër interesit shqiptar. Sot nuk po testohen studentët në provim jurisprudence. Sot po testohet VLEN-i. Dhe ranë. Ranë në provimin e dinjitetit. Ranë në provimin e përfaqësimit. Ranë në provimin e gjuhës shqipe. Ata që sot heshtin kur preket gjuha shqipe, nesër do të heshtin për çdo të drejtë tjetër”, thuhet në reagimin e BDI-së.














