Kryeministrin dhe zëvendëskryeministrat Fetai dhe Sali i pritëm një muaj që të reagojnë praktikisht në lidhje me kërkesën për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, andaj hap i radhës është protesta, shprehet iniciatori i peticionit, Mevlan Ademi. Kërkon të mos krijohen ndasi, por ura mes tyre dhe organeve shtetërore për kërkesën e tyre, transmeton MRT, përcjellë Pollogu.news
“Një muaj pas kërkesës sonë në institucionet relevante, nuk ka ende asnjë veprim konkret në zgjidhjen e kësaj. Për këtë arsye mbajtëm mbledhjen e parë organizative me studentët e tre universiteteve të ndryshme, për të mobilizuar kolegët tanë nga fakultetet tjera dhe të përgatitemi për protestë. Kërkojmë nga ministri i Drejtësisë që të reflektojë dhe të zbatojë ligjin për përdorimin e gjuhës, të angazhohet në zgjidhjen e problemit tonë para se të ndërtojmë mure.”, – deklaroi iniciatori i Nismës, Mevlan Ademi.
“Studentët shqiptar kanë folur shqip dhe do të flasin shqip. Ofrojmë mbështetjen tonë si Kuvend dhe jemi të hapur për bashkëpunim, për të siguruar që studentët shqiptarë t’i nënshtrohen provimit të jurisprudencës në shqip.”, – theksoi kryetari i Kuvendit Studentor “Nënë Tereza”, Besar Sejdiu.
Toska: E garanton Kushtetuta
Kjo çështje u ngrit edhe në seancën e pyetjeve të deputetëve. Dijana Toska nga BDI tha se në këtë rast shkelet Kushtetuta dhe ligji për një pjesë të madhe të qytetarëve dhe krijohet përçarje, duke shtuar se si deputetë nuk do t’i tejkalojnë këto tendenca për shkeljen e shqipes.
“Edhe pse me Kushtetutë, buron nga Marrëveshja paqësore e Ohrit, garantohet kjo e drejtë gjithashtu edhe në ligjin për përdorimin e gjuhëve të vitit 2018, përsëri ju si ministër keni shfaqur hapur bindjet tuaja shovene, duke mos u lejuar studentëve të mbajnë provim në gjuhën e tyre amtare. Gjuha shqipe është kategori kushtetuese, është kategori ligjore, e drejtë e fituar me sakrificë dhe themel mbi të cilën qëndron shteti multietnik si ky i yni. Secila tentativë për të zbehur këtë fakt apo për ta përjashtuar përbën kthim prapa dhe këtë nuk do ta lejojmë. Tendencë për të minimizuar përdorimin e gjuhës shqipe.”, – u shpreh Dijana Toska nga BDI.
Fillkov: Jursiprudenca, vetëm maqedonisht
Ministri i Drejtësisë, Fillkov, këmbëngul se provimi mund të jepet vetëm në gjuhën maqedonase, dhe siç tha, njëherë e përgjithmonë të hiqen iluzionet tek qytetarët për këtë temë.
“Për momentin, mundësia për dhënien e provimit të jurisprudencës pos maqedonishtes, nuk ekziston tjetër, për shkak se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe nuk është procedurë administrative. Edhe për më tepër, edhe Komisioni i Venecias ka dhënë mendim për përdorimin e gjuhës dhe për momentin para Gjykatës Kushtetuese janë parashtruar 13 iniciativa për vlerësimin e kushtetushmërisë të së njëjtës. Rreth përdorimit të gjuhës dhe ajo që si pushtet e keni punuar 20 vjet, duhet të jepni përgjigje para opinionit. Ajo çfarë duhet të përgjigjeni ju sot është se çfarë kanë bërë tetë ministrat tuaj në 20 vitet e kaluara?!”, – deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
Kërkesa studentore po ndiqet edhe nga ambasadat e huaja, ndërkaq lënda po shqyrtohet edhe të Avokati i Popullit. 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.















Comments are closed