Një serb nga Kosova është arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimin për “spiunazh”.
I arrestuari me inicialet R.T. dyshohet se, “për një periudhë të gjatë kohore, ka qenë në marrëdhënie bashkëpunimi me autoritet e Kosovës, duke mbledhur dhe dërguar të dhëna për aktivitetet e ish-pjesëtarëve dhe pjesëtarëve aktualë të Ushtrisë, policisë dhe strukturave të tjera të sigurisë së Serbisë”, raportojnë mediat serbe.
Sipas autoriteteve serbe, kjo ka sjellë si pasojë arrestimin e disa personave të nacionalitetit serb në Zubin Potok. Tri ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy serbë nën dyshimin se gjatë luftës, kanë kryer krime ndaj popullatës civile në zonën e Mitrovicës. Më vonë gjatë ditës, Prokuroria njoftoi se lidhur me këtë rast po kryhen gërmime në një fshat të Zubin Potokut pas dyshimeve për mbetje mortore që mund t’iu përkasin personave të zhdukur në luftën e Kosovës.
Njoftimin për arrestimin e R.T, ministri i qeverisë së Kosovës në detyrë Andin Hoti, e ka quajtur tentim-vrasje ndaj të vërtetës. Ai ka shkruar në Facebook se arrestimi i një personi nën dyshimin se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze masive është dëshmia më e qartë se Serbia po e lufton të vërtetën dhe vazhdon t’i fshehë kriminelët dhe krimet e luftës.















Comments are closed