Sadi Bexheti edhe pse e kishte bartur titullin Profesor Emeritus nga viti 2023, një raport i Fakultetit të Mjekësisë evidenton se nuk ligjëroi, por megjithatë u pagua. Profesori arsyetohet se studentët nuk e kishin zgjedhur lëndën.
Tri vjet më parë, Sadi Bexheti në moshë të pensionimit e kishte fituar titullin e nderit Profesor Emeritus në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ndërsa mund të mos e gëzojë më, pasi Senati i UP-së e ka shfuqizuar vendimin që i jep këtë titull.
Profesori Bexheti ka thënë për KALLXO.com se e ka pranuar vendimin e Senatit të UP-së më 14.01.2026 në lidhje me këtë çështje dhe se do të ankohet në Komisionin për ankesa dhe parashtresa të Senatit e pas përgjigjes së tyre do ta dorëzojë lëndën në Gjykatë.
Titulli Profesor Emeritus iu hoq pasi rektori Arben Hajrullahu në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 17.12.2025, deklaroi se Bexheti nuk i ka përmbushur obligimet kontraktuale të lidhura me UP-në pasi e kishte fituar titullin.
Hajrullahu u bazua në një raport të Fakultetit të Mjekësisë për angazhimin e Bexhetit dhe gjatë mbledhjes së Senatit tha se: “Aty ka një fjalë interesant se thotë- s’ka mbajtë mësim, po ka bërë kontribut në mësimdhënie”.
Bexheti arsyetohet se lënda që i ishte caktuar “Teknikat imazherike në hulumtimet shkencore” ishte lëndë zgjedhore në programin e Doktoratës në Mjekësi Paraklinike.
“Nuk kam mbajtur orë pasi e kam fituar titullin Emeritus sepse lënda që më është caktuar është lëndë zgjedhore në doktoratë dhe ajo varet nëse e zgjedhin studentët apo jo”- është përgjigjur Bexheti, më 08.01.2026.
Raportin e detajuar për kontributin e profesorit Bexheti në Fakultetin e Mjekësisë që ia kanë dorëzuar rektorit, e ka siguruar KALLXO.com dhe mbulon periudhën 10.01.2023 – 14.09.2025.
Në raport konfirmohet se lënda që ishte planifikuar ta ligjëronte Bexheti në programin e Doktoratës në Mjekësi Paraklinike, nuk ishte zgjedhur nga studentët e doktoratës për vitin akademik 2024/2025.
“Dhe nuk është dorëzuar raport për orët e realizuara të ligjërimit për periudhën e kërkuar [10.01.2023 – 14.09.2025]”- thuhet në raportin e Fakultetit të Mjekësisë.















Comments are closed