Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, po qëndron për vizitë zyrtare në Tiranë. Me këtë rast, ajo sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ministrin e Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, Sofjan Jaupaj, me qëllim forcimin e angazhimeve të përbashkëta për mbrojtjen, pastrimin dhe menaxhimin e Lumit Drin.
Në njoftim theksohet se ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt koordinimit institucional ndërmjet dy vendeve për trajtimin e sfidave mjedisore që lidhen me lumenjtë ndërkufitarë.
Lumi Drin, si një nga burimet më të rëndësishme ujore në rajon, nuk njeh kufij dhe kërkon përkushtim të përbashkët për ruajtjen e cilësisë së ujit, biodiversitetit dhe ekosistemit të tij.
“Palët janë zotuar për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në terren, duke përfshirë projekte për pastrimin e shtratit të lumit, monitorimin e ndotjes, shkëmbimin e ekspertizës dhe ngritjen e mekanizmave të përbashkët për reagim ndaj ndotësve”,thuhet në njoftim.
Ministrja Pacolli theksoi se bashkëpunimi ndërkufitar është thelbësor për mbrojtjen efektive të mjedisit dhe për sigurimin e një të ardhmeje më të shëndetshme për qytetarët, ndërsa falënderoi palën shqiptare për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim.
Memorandumi i nënshkruar sot pritet të shërbejë si bazë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe për intensifikimin e përpjekjeve në mbrojtje të mjedisit dhe burimeve ujore, në interes të të dy vendeve dhe brezave të ardhshëm.















Comments are closed