Deklarata e analistit nga Shqipëria, Ilir Kulla në 25 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit lidhur me ngjarjet e vitit 2001 ka hapur dilema serioze politike dhe historike; si ishte e mundur që përpara se konflikti të përfundonte, të kishte njerëz që flisnin sikur e dinin paraprakisht se ku do të përfundonte gjithçka?!
Kulla rrëfen se në prill të vitit 2001, në një bisedë të tij me ish ministrin e Mbrojtjes dhe ish ambasadorin Llazar Elenovski me ish kandidatin për president Tito Petkovski ky i fundit, kishte parashikuar se ata që ndodheshin në mal do të bëheshin pjesë e Parlamentit dhe Qeverisë.
Sipas Kullës kjo edhe ndodhi.
Por, pikërisht këtu lind pyetja politike: a ishte 2001 vetëm një konflikt që prodhoi një marrëveshje politike, apo kishte aktorë që e dinin paraprakisht se cili do të ishte rezultati dhe kush do të dilte fitues politikisht?
Kjo pyetje bëhet edhe më interesante kur vendoset përballë deklaratave të Menduh Thaçit se konflikti i vitit 2001 kishte edhe dimensionin e rrëzimit të PDSH-së nga pushteti.
Dhe në qendër të kësaj dileme nuk mund të mos përmendet Ali Ahmeti. Nga një figurë e dalë nga lufta, Ahmeti u shndërrua në aktor politik institucional dhe më pas në një nga figurat më të fuqishme të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Por për dy dekada, ai e ka ndërtuar legjitimitetin politik pikërisht mbi rolin e tij në vitin 2001.
Nëse deklarata e Ilir Kullës merret seriozisht, atëherë 2001-shi meriton të rishikohet jo vetëm si histori lufte dhe marrëveshjeje, por edhe si histori e një transformimi të madh politik- pra nga mali në pushtet.
Sepse nëse dikush e dinte epilogun para se të shkruhej fundi, pyetja është: kush e kishte skenarin?!














