Kryeministri Hristijan Mickoski, në akademinë solemne me rastin e 23 Tetorit – Ditës së luftës revolucionare maqedonase, paralajmëroi se shërbimet e sigurisë në Ballkan kurrë nuk ndalojnë së vepruari dhe se nuk do ta befasojnë përpjekjet për ta tërhequr Maqedoninë në problemet dhe paqëndrueshmërinë e vendeve fqinje.
„Tashmë Ballkani nuk është i vetmi fuçi baruti. Përkundrazi, Evropa po bëhet një vullkan i shqetësuar. Gjithnjë e më pak dëgjohet arsyeja, ndërsa çdo ditë shohim protestat, dhunën në forma të ndryshme, të pranishme në Evropë dhe te fqinjët tanë“, tha Mickoski.
Kryeministri u ndal veçanërisht te aktivitetet e shërbimeve në rajon, duke paralajmëruar mundësinë që tensionet rajonale të derdhen edhe në Maqedoni.
„Po në Ballkan? Në Ballkan shërbimet kurrë nuk ndalojnë së punuari. Dhe nuk do të më befasojë nëse ka edhe të tillë që do të përpiqen të na përfshijnë në problemet e tyre ose të transferojnë një pjesë të ambientit të tyre në jetën tonë të përditshme“, deklaroi Mickoski.
Në vazhdim, ai bëri akuza ndaj një pjese të opozitës, duke pretenduar se ka aktorë politikë që mund të marrin pjesë në aktivitete të tilla për interesa personale.
„Sa i përket aktorëve vendas për një lojë të tillë, kjo është shumë e lehtë. Ka disa nga opozita që për para dhe premtime të rreme për poltron janë të aftë të bëjnë mrekulli“, tha kryeministri.
Mickoski bëri thirrje për ndërgjegjësim të rritur te qytetarët dhe paralajmëroi që të mos i nënshtrohen provokimeve, çështjeve të imponuara artificialisht dhe, siç i quajti, temave etnike të hiperbolizuara.
Sipas tij, nga krizat e mundshme do të përfitojnë ata që prej dekadash fitojnë në kurriz të qytetarëve.
„Dhe prandaj nuk do të lejoj asnjë lojë të pandershme, as aventura. Dhe nëse dikush mendon se mund të luajë me shtetin, le të mos e nënvlerësojë shtetin, as popullin“, porositi Mickoski.
Në këtë pjesë të fjalimit, kryeministri nuk përmendi shërbime, shtete apo persona konkretë për të cilët mendon se mund të jenë të përfshirë në aktivitete të tilla, as nuk paraqiti prova konkrete për paralajmërimet e tij.













Comments are closed