Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vizituar sot Komunën e Mitrovicës së Jugut, ku janë pritur nga kryetari Faton Peci.
Takimi shërbeu për të prezantuar projekte madhore shëndetësore dhe për të diskutuar mundësi investimesh që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore në rajon.
Presidentja Osmani tha se projektet e propozuara do të ndryshojnë historinë e Mitrovicës.
“Unë i kam prezantuar disa projekte konkrete, me shpresën që Emiratet e Bashkuara Arabe do të na mbështesin. Siç e dini, Spitali i Fëmijëve ka qenë donacion nga Emiratet, tani e kemi edhe donacionin e dytë, Spitalin e Gjinekologjisë, i cili do të ndërtohet nga fillimi. Deri pak më herët ishim në QKUK, ku e pamë edhe lokacionin ku do të ndërtohet, dhe tani erdhëm në Mitrovicë, ku kemi prezantuar bashkërisht me ministrin e Shëndetësisë dhe kryetarin e komunës një projekt madhor, i cili besoj se do ta ndryshojë historinë e këtij qyteti dhe do të ketë impakt të jashtëzakonshëm jo vetëm në shëndetin e qytetarëve, por edhe më gjerë, me shpresën që do ta arrijmë një pajtim që Emiratet e Bashkuara Arabe të na mbështesin në atë drejtim. Dua ta falënderoj edhe njëherë presidentin e Emirateve, i cili menjëherë pas takimit tonë ka dërguar delegacionin e nivelit të lartë, ministrat dhe udhëheqësin e investimeve strategjike në kabinetin e tij, në mënyrë që të dakordohemi për hapa të mëtejmë”, tha Osmani.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, theksoi se projekti nuk ka ndikim vetëm lokal.
Ai tha se do të jetë njëri prej projekteve që do ta ndryshojë qasjen dhe kualitetin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore.
“Jo vetëm si komunë, por projekti, i cili është negociuar nga presidentja dhe që bëhet në koordinim edhe me Ministrin e Shëndetësisë dhe me mbështetjen e vendeve mike, në këtë rast sikurse janë Emiratet e Bashkuara Arabe, jo që e ndryshon gjendjen ekonomike në Mitrovicë dhe shërbimet shëndetësore, por do të jetë njëri prej projekteve që do ta ndryshojë krejt qasjen dhe kualitetin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, duke pasur impakt të jashtëzakonshëm edhe në aspektin ekonomik për Mitrovicën, por jo vetëm për Mitrovicën. Ideja dhe projeksioni që ne i kemi diskutuar sot dhe që presidentja i ka diskutuar gjatë vizitës, e ndryshojnë nivelin e shërbimeve shëndetësore dhe e ndryshojnë tërësisht nivelin e mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik të Mitrovicës”- deklaroi Peci.















Comments are closed