“Vizitën në Turqi e nisëm me Çarshinë e Vjetër të Shkupit në fokus, për të ndërtuar bashkëpunime që i hapin rrugë restaurimit dhe zhvillimit të saj”, ka njoftuar lideri i VLEN Izet Mexhiti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës Sedat Sylejmani.
Tutje, ai shprehet se hapi i rradhës do të jetë pregaditja e masterplanit dhe krijimi i bordit të përbashkët, për kordinim bilateral.
Postimi i plotë, nga Mexhiti:
“Së bashku me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sylejmani, dhe përfaqësues të Komunës së Çairit, në Ankara takuam zëvendësministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Nadir Alparslan. Në takim na shoqëruan ish-kryetari i Bursës, Rexhep Alltepe, dhe ish-zëvendëssekretari i këtij qyteti, urbanisti Bajram Vardar.
Diskutuam hartimin e një projekti gjithëpërfshirës për restaurimin e Çarshisë, si dhe mundësitë e financimit për realizimin e tij. U dakorduam për përgatitjen e një masterplani dhe formimin e një bordi këshilldhënës, që do të koordinojë hapat e mëtejshëm.
Synimi ynë është që ruajtja e vlerave historike të Çarshisë të ecë bashkë me zhvillimin e saj si qendër e gjallë e zejtarisë, tregtisë dhe turizmit”.














Comments are closed