Organizatori i protestave studentote Mevlan Ademi ka reaguar publikisht ndaj pretendimeve që e lidhin atë me struktura politike në prag të protestës së paralajmëruar për 6 prill, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe të padrejta, raporton Zyrtare.
Në reagimin e tij, Ademi thekson se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e kabinetit të ambasadorit të Shqipërisë, duke sqaruar se gjatë vitit 2025 ka kryer vetëm një stazh tre-mujor në ambasadë, të cilin e konsideron përvojë profesionale të vlefshme.
Ai vlerëson se përdorimi i këtij fakti për të ndërtuar narrativa politike rreth protestës është i gabuar dhe devijon vëmendjen nga thelbi i çështjes.
Sipas Ademit, grupi organizator i protestës ka më shumë se dy vite që merret me këtë problematikë, duke nënvizuar se nuk bëhet fjalë për një reagim të momentit, por për një angazhim të vazhdueshëm.
“Angazhimi im nuk buron nga asnjë lidhje politike, por nga një shqetësim real dhe legjitim: e drejta për të ushtruar profesionin në gjuhën në të cilën kemi studiuar”, deklaron ai.
Ademi shton se është e natyrshme që një kauzë që lidhet me të drejtat e shqiptarëve të gjejë mbështetje më të gjerë, përfshirë edhe nga Shqipëria, duke e cilësuar këtë si mirëkuptim dhe jo ndërhyrje politike.
Në fund, ai apelon që çështja të trajtohet si parimore dhe jo partiake, duke theksuar se etiketimet e tilla vetëm sa shmangin debatin nga problemi real.















Comments are closed