Skena politike në Kosovë ka hyrë në një fazë vendimtare ku zhbllokimi i institucioneve mund të varet nga një marrëveshje strategjike midis dy liderëve, Albin Kurti dhe Bedri Hamza.
Sipas burimeve që mëson INA, çelësi i zgjedhjes së Presidentit tashmë ndodhet në një linjë të drejtpërdrejtë politike mes kryeministrit dhe kreut të PDK-së.
Formula e kompromisit, sipas këtyre burimeve, parashikon që Bedri Hamza të propozojë zyrtarisht Enver Hoxhajn si kandidat konsensual për President.
Ky propozim po shihet si një lëvizje për të shmangur krizat e reja dhe zgjedhjet e parakohshme, ndërkohë që sinjale pozitive thuhet se ekzistojnë edhe brenda radhëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetët e shumicës qeverisëse po e vlerësojnë figurën e Hoxhajt si një opsion stabilizues, falë përvojës së tij diplomatike dhe profilit institucional që mund të mbledhë vota përtej kampeve partiake.
Ky moment vlerësohet si një test i përgjegjësisë shtetërore për të dy liderët. Nëse arrihet pajtimi Kurti-Hamza, Kosova do të siguronte stabilitet në vend të bllokadës, duke ofruar një figurë me profil ndërkombëtar që shihet si pikë takimi mes racionalitetit politik dhe interesit kombëtar. Me një marrëveshje të tillë, vota në Kuvend nuk do të ishte më çështje numrash partiakë, por një akt për të shmangur krizat e panevojshme institucionale.(INA)
















Comments are closed