Meksika njoftoi se javën e ardhshme do të dërgojë ndihmë
humanitare në Kubë, përfshirë furnizime ushqimore, pas
kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara për të vendosur tarifa
ndaj vendeve që furnizojnë ishullin me naftë.
Këtë e bëri të ditur presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, e cila
theksoi se ndihma do të shkojë për nevoja humanitare, ndërsa
paralelisht Meksika do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të
zgjidhur çështjen e furnizimeve me naftë.
Shtetet e Bashkuara kërcënuan të enjten se mund të vendosin tarifa
ndaj vendeve që i shesin naftë Kubës, duke e cilësuar ishullin si
“kërcënim” për sigurinë kombëtare amerikane. Meksika është bërë një
furnizues i naftës për Kubën, e cila po përballet me një krizë të thellë
energjetike, përkeqësuar nga ndërprerja e furnizimeve të naftës së
papërpunuar nga Venezuela pas ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së dhe
arrestimit të Nicolás Maduro.
Presidentja Sheinbaum siguroi se Meksika do të vazhdojë të qëndrojë
në solidaritet me Kubën dhe ka urdhëruar ministrin e Jashtëm të kontaktojë Uashingtonin për të kuptuar “plotësisht pasojat e urdhrit të
Trump.
“Aplikimi i tarifave doganore ndaj vendeve që furnizojnë Kubën me
naftë mund të shkaktojë një krizë humanitare të madhe, duke goditur
drejtpërdrejt spitalet, sektorin e ushqimit dhe shërbime të tjera të
domosdoshme për popullin kuban,” tha presidentja e Meksikës.
Ndërkohë që qeveria e saj bashkëpunon me SHBA-në për të
përcaktuar të ardhmen e furnizimeve me naft Sheinbaum vendosi të
dërgojë edhe produkte të tjera bazike për popullin kuban. Ajo
gjithashtu mohoi të ketë diskutuar me Trump për furnizimet me naftë,
pavarësisht pretendimeve të presidentit amerikan se i kishte kërkuar
të ndalonte eksportet nga Meksika.
Meksika është përballur me kërcënime të SHBA-së për vendosjen e
tarifave që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, një vit më parë.













Comments are closed