Fatmir Sabriu ka njoftuar se ka përfunduar mandatin e tij dyvjeçar në detyrën e Sekretarit Shtetëror në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Përmes një njoftimi publik, ai ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve dhe reformave që, sipas tij, janë realizuar gjatë periudhës sa ishte në këtë funksion. Në mesin e tyre përmenden miratimi i Garancionit Evropian për Fëmijët, përgatitja e analizës për shtesën universale për fëmijët, hartimi i Draft-ligjit për Intervenimin e Hershëm tek fëmijët, zgjerimi i rrjetit të çerdheve, avancimi i shërbimeve sociale, rritja lineare e pensioneve, zhvillimi i politikave rinore, si dhe digjitalizimi i një pjese të shërbimeve sociale.
Në të njëjtin reagim, Sabriu ka falënderuar bashkëpunëtorët dhe ministrin Fatmir Limani për mbështetjen gjatë mandatit, ndërsa i ka uruar suksese udhëheqësisë së re të ministrisë.
Në fund të mesazhit, ai thekson se angazhimi në shërbim të qytetarëve mbetet i rëndësishëm pavarësisht funksioneve publike që ushtrohen.














