Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës shqiptare, duke theksuar se dallimi mes qeverisë dhe opozitës është në qasjen ndaj sistemit. Sipas tij, opozita e sheh sistemin si mjet për pushtet, ndërsa qeveria synon reforma në funksion të qytetarëve.
“Dallimi mes nesh dhe tyre është shumë i thjeshtë: ata e menaxhojnë sistemin për pushtet, ndërsa ne po e reformojmë sistemin për qytetarët”, deklaroi Aliu, duke hedhur poshtë pretendimet për përçarje dhe duke theksuar se strukturat politike janë të konsoliduara.
Sa i përket gjuhës shqipe, ai tha se synimi është që ajo të mos mbetet vetëm deklarative, por të bëhet funksionale përmes një sistemi të ri. Ndërsa për përfaqësimin adekuat, Aliu kritikoi mekanizmin aktual të balancuesit, duke e cilësuar si të manipulueshëm dhe paralajmëroi një model të ri të bazuar në meritë dhe transparencë.
Në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian dhe ndryshimet kushtetuese, ministri theksoi se procesi kërkon konsensus të gjerë politik. “Kushtetuta nuk ndryshohet me slogane, por me shumicë reale dhe konsensus”, tha Aliu në deklaratën e tij dhënë për Radio Dugagjinin, duke shtuar se stabilizimi politik në Bullgari mund të ndihmojë në përshpejtimin e procesit.















Comments are closed