Prokuroria kërkoi, ndërsa Gjykata e Shkupit pranoi që ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, t’i vazhdohet arresti shtëpiak edhe për 30 ditë të tjera. Grubi i cili pas 14 muajsh arratisje më 23 shkurt iu dorëzua autoriteteve në pikën kufitare Bllacë, dyshohet për veprën penale mashtrim në shërbim, raporton Alsat. Megjithatë, nga organi i akuzës nuk jep detaje se në cilën fazë është hetimi për keqpërdorimet e pretenduara lidhur me procedurën e me furnizimit të VLT aparateve për Lotarinë Shtetërore edhe pse të njëjtat fare nuk kanë qenë të nevojshme dhe asnjëherë nuk janë përdorur.
“Vijon hetimi, megjithatë në këtë fazë të procedurës, Prokuroria nuk ka mundësi të ndajë detaje për veprimet që po ndërmerren.” , raportoi Prokuroria.
Së bashku me Grubin, i dyshuar për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore është edhe ish drejtori Përparim Bajrami i cili vazhdon të jetë në arrati, por edhe disa persona të tjerë. Dëmi sipas Prokurorisë është mbi 8 milionë euro, ndërsa për veprën parashikohet dënim me burg prej së paku 4 vjet.
Hetimet në lotari u hapën pasi SHBA, e futi në listë të zezë Artan Grubin së bashku me gjyqtarin kontrovers Enver Bexheti të cilët sipas autoriteteve amerikane kishin marrë ryshfet për ta shpëtuar nga ndjekja penale ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov.














