Vendet e rajonit po përpiqen të zbusin pasojat e luhatjeve në tregun global të naftës përmes masave si ulja e akcizës për naftën…
Lufta në Lindjen e Mesme ka tronditur tregjet e karburanteve, ndërsa çmimi i naftës Brent u rrit 100-119 dollarë për fuçi. Pavarësisht se më 20 mars çmimet e naftës ranë me 0.4%, duke arritur rreth 108 dollarë për fuçi, ekspertët theksojnë se pasojat ekonomike të këtij tensioni gjeopolitik nuk mund të zbuten në afat të shkurtër.
Ekspertët theksojnë se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka hequr nga tregu global rreth 7 deri në 10 milionë fuçi në ditë, që përbën afërsisht 7% deri në 10% të kërkesës totale botërore. Më 19 mars, Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, sinjalizoi masa të mundshme për të kontrolluar rritjen e çmimeve të naftës. Këto përfshijnë heqjen e sanksioneve ndaj cisternave iraniane të naftës dhe shqyrtimin e çlirimeve të mëtejshme nga Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së, raportoi Reuters.
Goditjes nga rritja e çmimit të naftës nuk i kanë shpëtuar as 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo ka bërë që qeveritë respektive të nisin marrjen e masave, dikush më shpejt dhe një tjetër pak më ngadalë, për të parandaluar paralizën ekonomike.
Të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të varura nga importet e lëndëve djegëse fosile për transport dhe prodhim industrial, çka do të thotë se tregjet e tyre të naftës janë nën presionin e vazhdueshëm, shkruan EWB.
Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina shpallin ulje të akcizës për naftën
Shqipëria është vendi me karburantin më të shtrenjtë në Evropë kur çmimi i naftës krahasohet me të ardhurat e qytetarëve. Vlerësohet se një qytetar shqiptar aktualisht duhet të shpenzojë 7.2% të të ardhurës ditore për të blerë një litër naftë. Çmimet e larta ndikohen ndjeshëm nga politikat fiskale.
Që nga 20 marsi 2026, çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur rreth 214 lekë për litër (2.58 dollarë). Kjo rritje, pas shpërthimit të luftës në Iran, nga rreth 170–175 lekë për litër më parë, përfaqëson një nga nivelet më të larta të kohëve të fundit. Sipas kryeministrit Edi Rama, çmimet e naftës në Shqipëri “janë rritur në mënyrë të moderuar krahasuar me rritjen në tregjet ndërkombëtare”.
Në të njëjtën kohë, Rama tha se qeveria po punon për një nismë të re, e cila parashikon që autoritetet të hyjnë në treg si distributor dhe shitës me shumicë i garantuar. Ai theksoi se roli i shtetit do të sigurojë sasi furnizimi, do të mbështesë operatorët dhe do të lehtësojë marrëdhëniet me palët e treta.
Gjithashtu, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se qeveria do të riaktivizojë Bordin e Transparencës për të monitoruar çmimet e karburanteve. Ajo konfirmoi edhe një ulje prej 20% të akcizës për naftën, duke e ulur atë nga 39.6 lekë për litër. Sipas mediave shqiptare, vendimi u mor pas zhvillimeve të fundit në treg.
Në mënyrë të ngjashme, në Bosnje e Hercegovinë, qeveria e Federatës ka nisur një propozim për të hequr përkohësisht ose për të ulur ndjeshëm akcizën mbi karburantet. Kryeministri Nermin Niksiç deklaroi se shteti është i gatshëm të heqë dorë nga të ardhurat për të ndihmuar distributorët dhe për të mbrojtur qytetarët më të cenueshëm nga presioni inflacionist mbi ushqimin dhe transportin.
Në fillim të marsit 2026, çmimi i naftës në Bosnje e Hercegovinë ishte rreth 2.55 marka për litër (afërsisht 1.52 dollarë), por është rritur ndjeshëm dhe tani kalon 3 marka (1.78 dollarë) në disa pika karburanti. Zyrtarët thanë se kontrollet e shtuara synojnë të parandalojnë rritje të pajustifikuara të çmimeve dhe të mbrojnë konsumatorët.
Bizneset në Kosovë kërkojnë ndërhyrje, Mali i Zi paralajmëron masa konkrete
Në Kosovë, bizneset kanë kërkuar prej disa javësh ndërhyrje nga qeveria për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, raportoi Koha Ditore. Si pasojë e përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, çmimet janë rritur me mbi 20 cent, duke kaluar 1.50 euro për litër naftë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në fillim të rritjes së çmimeve, vendosi marzhe fitimi për operatorët: 2 cent për shitjen me shumicë dhe 12 cent për shitjen me pakicë.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila deklaroi se stabilizimi i çmimeve pritet në muajt e ardhshëm, veçanërisht gjatë verës.
Çmimi aktual i naftës në Mal të Zi është rreth 1.50 dollarë për litër, ndërsa më 1 mars ishte rreth 1.38 dollarë. Ministri i Energjisë dhe Minierave, Admir Sahmanoviç, i tha gazetës Dan se qeveria po ndjek nga afër zhvillimet në treg dhe po shqyrton masa për të zbutur rritjen e çmimeve. Ai shtoi se publiku do të informohet së shpejti për hapat konkretë.
Sipas gazetës Dan, skenari më i mundshëm është ulja e akcizës me një të katërtën, çka do të ulte çmimin e karburantit me 13 cent. Në këtë rast, çmimi i naftës nuk do të rritej me 30 cent, por me 17 cent, duke arritur në 1.67 dollarë për litër.
Maqedonia e Veriut shqyrton uljen e TVSH-së, Serbia shpall masa shtesë
Maqedonia e Veriut në përgjithësi mban çmime më të ulëta të karburanteve krahasuar me fqinjët, veçanërisht Serbinë, për shkak të taksave më të ulëta. Çmimi aktual për një litër naftë është rreth 85.5 denarë (1.6 dollarë), duke reflektuar një rritje të ndjeshme në fillim të marsit 2026, kur çmimet u rritën me 14.5 denarë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut i tha Telegrafi.com se po monitoron në mënyrë aktive situatën dhe se ndër alternativat në shqyrtim është ulja e TVSH-së nga 18% në 10%, me qëllim mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve.
Në Serbi, çmimi aktual për një litër naftë është 208 dinarë (2.04 dollarë). Në fillim të marsit 2026, çmimi varionte nga 203 deri në 208 dinarë për litër, i mbështetur nga politika të çmimeve të rregulluara nga qeveria.
Serbia ka zgjatur ndalimin e eksporteve të naftës bruto dhe produkteve të karburantit deri më 2 prill, për të mbrojtur tregun e brendshëm nga mungesat dhe rritja e çmimeve. Ndalimi përfshin eksportet e naftës, benzinës dhe produkteve të tjera përmes të gjitha formave të transportit.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, në një adresim më 20 mars pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për sigurinë energjetike, shpalli tre masa kryesore.
Ai tha se masa e parë është ulja e akcizës me më shumë se 20%. Sipas tij, çmimi real i naftës do të ishte 257 dinarë për litër, por në pikat e karburantit ka qenë 208 dinarë. Qeveria vendosi të lejojë vetëm një rritje prej katër dinarësh, duke e çuar çmimin në 212 dinarë
Masa e dytë parashikon hedhjen në treg të 40 mijë tonëve naftë nga rezervat strategjike, ndërsa masa e tretë synon sektorin bujqësor: për shtatë ditët e ardhshme, çmimi i naftës për fermerët do të kufizohet në 181 dinarë për litër.















Comments are closed