Juristi i ri Ylli Paçuku, i cili kishte dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për të kontestuar disa aspekte të funksionimit të sistemit “Safe City”, reagoi pas vendimit të këtij institucioni për ta rrëzuar kërkesën e tij. Ai thekson se, megjithëse iniciativa nuk u pranua, çështjet që ka ngritur mbeten të hapura dhe kërkojnë debat publik e institucional.
Paçuku sqaron se në iniciativën e tij kishte ngritur dy çështje konkrete. Sipas tij, e para lidhej me përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimin institucional me qytetarët, në kuadër të sistemit “Safe City”.
Akoma më shqetësuese, sipas tij, janë deklaratat arrogante që dëgjuam sot nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese. “Një institucion që duhet të jetë mbrojtësi më i lartë i Kushtetutës nuk mund të sillet me përçmim ndaj një të drejte kushtetuese dhe ndaj qytetarëve të këtij vendi”.
Paçuku vlerëson se në një shtet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, është e pakuptueshme që komunikimi zyrtar të bëhet duke e anashkaluar këtë gjuhë.
Në reagimin e tij, Paçuku shprehu shqetësim edhe për deklaratat e bëra gjatë seancës nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se një institucion që duhet të jetë mbrojtësi më i lartë i Kushtetutës nuk duhet të shfaqë qëndrime që mund të interpretohen si përçmuese ndaj një të drejte kushtetuese dhe ndaj qytetarëve të vendit.
Çështja e dytë që ai kishte ngritur në iniciativë kishte të bënte me zbatimin e sistemit “Safe City” në gjithë territorin e shtetit. Sipas Paçukut, ligjet dhe masat e sigurisë nuk mund të aplikohen në mënyrë selektive.
“Nëse një sistem vendoset, ai duhet të vlejë njësoj për të gjithë qytetarët dhe në çdo pjesë të territorit të shtetit”, thekson ai. Megjithëse Gjykata Kushtetuese vendosi ta rrëzojë iniciativën, Paçuku thotë se kjo nuk e ndryshon thelbin e çështjes dhe se pyetjet e ngritura mbeten aktuale.
“Debati për barazinë para ligjit dhe për respektimin e gjuhës shqipe nuk përfundon këtu. Për gjuhën dhe për të drejtat tona nuk kemi heshtur dje dhe nuk do të heshtim as sot”, deklaroi Paçuku.















Comments are closed