Në Gjykatën Themelore të Tetovës ka vazhduar procesi gjyqësor për keqpërdorimet gjatë ndërtimit të teatrit të ri dhe bibliotekës në Tetovë. Të akuzuar në këtë rast janë Sejdi Shashivari, pronar dhe menaxher i personit juridik “Urban Plan Construction” nga Tetova, vetë kompania si person juridik, Haki Fazliu, drejtor i atëhershëm i Qendrës për Kulturë “Iljo Anteski-Smok” në Tetovë, Artan Arslani, kryetar i Komisionit për Prokurim Publik dhe më vonë ushtrues detyre drejtor i Qendrës për Kulturë, si dhe Bajram Muça në cilësinë e kryeinxhinierit mbikëqyrës në subjektin e angazhuar si organ mbikëqyrës gjatë zbatimit të kontratës për prokurim publik nga viti 2015 deri në vitin 2020.
Sipas aktakuzës, Shashivari si i akuzuar i parë dhe personi juridik si i akuzuar i dytë ngarkohen për veprën penale “Keqpërdorim në procedurën e prokurimit publik”, Fazliu dhe Arslani akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, ndërsa Muça për “Punë të pakujdesshme në shërbim”.
Gjatë seancës së sotme u dëgjuan ekspertët e propozuar nga Prokuroria, të cilët përgatitën gjetjet dhe opinionet për pjesën ekonomike dhe ndërtimore të projektit. Ekspertiza është realizuar me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në pjesën ekonomike, ekspertët Gordana Angjellkovska dhe Kire Kostov deklaruan se qëndrojnë plotësisht pranë raportit të tyre, duke theksuar se në ndërtimin e objektit ka pasur tejkalime në mënyrën dhe lartësinë e pagesave lidhur me llogaritjen e TVSH-së.
Gjithashtu, me kërkesë të prokurorisë, ekspertja Divna Stançeva paraqiti gjetjet për pjesën ndërtimore, duke konfirmuar raportin e saj. Ajo iu përgjigj pyetjeve të avokatëve mbrojtës duke sqaruar se ka pasur ndryshime dhe plotësime të projektit dhe se ka munguar një projekt i punëve të kryera, por vuri në dukje se në aspektin ndërtimor nuk ka pasur lëshime serioze. Gjykimi do të vazhdojë më 16 mars 2026, kur para gjykatës do t’i paraqesin gjetjet e tyre ekspertët e mbrojtjes.















Comments are closed