Një tjetër rast i trafikut të klandestinëve nga vendet e treta me destinacion ato të BE-së është goditur ditën e sotme (2 shkurt).
Policia e Tiranës njoftoi se ka ndaluar në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, transportuesin J. N., 41 vjeç gjatë aksionit të koduar “Relay”.
Burime zyrtare thanë se ai u kap në flagrancë në aksin rrugor Kashar-Thumanë, teksa transportonte dy emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së, shkruan Panorama.al, përcjellë Pollogu.news.
“Nga hetimet rezulton se është identifikuar edhe organizatori i këtij rasti, shtetasi M. A., 33 vjeç, banues në Durrës, i cili është shpallur në kërkim. Sipas policisë, dyshohet se 33-vjeçari iu ka marrë emigrantëve nga 2500 euro secilit, me premtimin se do t’i transportonte ilegalisht drejt Italisë”, thanë burime zyrtare.
Gjatë operacionit u sekuestruan automjeti me të cilin kryhej transporti, dy telefona celularë si dhe një shumë parash. Policia bën me dije se po punohet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
“Finalizohet pas një hetimi me metoda speciale, faza e pestë e operacionit të koduar “Relay”.
Arrestohet një shtetas i maqedonisë, që transportonte emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së.
Identifikohet organizatori i këtij rasti, i cili dyshohet se iu ka marrë emigrantëve, nga 2500 euro, me premtimin se do t’i transportonte në Itali.
Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, 2 celularë dhe një shumë parash.
Si rezultat i një hetimi, me metoda speciale, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, me objektiv goditjen e një tjetër rasti të transportimit të emigrantëve, ilegalisht dhe kundrejt pagesave, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Relay 5”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasin nga maqedonia, J. N., 41 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi M. A., 33 vjeç, banues në Durrës.
41-vjeçari u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Kashar-Thumanë”, teksa transportonte 2 emigrantë.
Ndërkaq, nga hetimi dyshohet se 33-vjeçari iu ka marrë secilit prej emigrantëve, 2500 euro, me premtimin se do të mundësonte transportimin ilegal të tyre, në Itali.
Punohet për kapjen e shtetasit M. A. Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimi për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”.















Comments are closed