Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përkujtoi më 28 shtator përvjetorin e Betejës së Prevezës, të zhvilluar më 28 shtator 1538, ku flota osmane nën komandën e admiralit Hajredin Barbarosa triumfoi ndaj flotës së Aleancës së Shenjtë.
Në mesazhin e tij, Erdoğan nderoi Hajredin Pashën dhe marinarët osmanë për fitoren në Prevezë, duke theksuar se ata, përmes kësaj fitoreje, “e shndërruan Mesdheun në një det turk”.
Hajredin Barbarosa, një nga komandantët më të njohur detarë të Perandorisë Osmane, është me një prejardhje shqiptare. Sipas të dhënave nga Arhiva e Stanbollit, dhe shumë burime historike, babai i tij, Ali Pasha, ishte me origjinë nga Karaburuni i Vlorës, ndërsa familja e tij më vonë u vendos në ishullin e Lesbosit, ku Hajredini lindi në vitin 1478.
Beteja e Prevezës
Beteja u zhvillua pranë brigjeve të Prevezës, në detin Jon, ndërmjet flotës osmane të komanduar nga Hajredin Barbarosa dhe flotës së bashkuar të Aleancës së Shenjtë të fuqive të krishtera, të krijuar me iniciativën e Papa Palit III.
Flota e Aleancës së Shenjtë drejtohej nga admirali gjenovez Andrea Doria. Barbarosa, megjithëse kishte një flotë më të vogël, përdori manovrimin dhe kushtet detare për të goditur formacionin kundërshtar.
Sipas të dhënave historike, flota osmane kishte rreth 120–125 galera, ndërsa forcat e Aleancës së Shenjtë kishin një numër dukshëm më të madh anijesh. Barbarosa arriti ta shfrytëzonte pozicionin e flotës së tij dhe të shkaktonte humbje të konsiderueshme te kundërshtari.
Fitorja e Prevezës u bë një nga fitoret më të rëndësishme detare të Perandorisë Osmane në Mesdhe dhe e forcoi pozitën e saj detare në rajon.
Hajredin Barbarosa
Hajredin Barbarosa lindi në Lesbos rreth vitit 1478 dhe ndërroi jetë në Kostandinopojë më 4 korrik 1546. Ai u bë një nga figurat më të rëndësishme të flotës osmane dhe shërbeu si kapudan pasha, komandant i lartë i marinës osmane.
Sot, emri i tij mbetet i lidhur ngushtë me historinë detare të Turqisë, ndërsa mauzoleu i Hajredin Barbarosës ndodhet në lagjen Beşiktaş të Stambollit, pranë Muzeut Detar.
Mesazhi i Erdoğan për përvjetorin e Prevezës e riktheu në vëmendje figurën e admiralit Hajredin Barbarosa dhe rëndësinë historike të betejës së vitit 1538.















Comments are closed