Vinicius Jr dhe Real Madridi kanë arritur marrëveshjen për një kontratë të re gjashtëvjeçare, e cila do ta mbajë sulmuesin brazilian në Santiago Bernabeu deri më 30 qershor 2032.
Lajmi u bë zyrtar nga klubi madrilen, i cili përmes një komunikate vlerësoi rëndësinë e Vinicius Jr në sukseset e viteve të fundit. “Vinicius Jr është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm në një nga periudhat më të suksesshme në historinë tonë”, thuhet në deklaratën e Real Madrid.
26-vjeçari kishte hyrë në 12 muajt e fundit të kontratës së tij dhe gjatë javëve të fundit ishte përfolur për një interesim nga klube të mëdha europiane, përfshirë Arsenalin. Megjithatë, pas një oferte të re nga Real Madridi, palët gjetën gjuhën e përbashkët dhe vendosën të vazhdojnë bashkëpunimin.
Negociatat për rinovimin kishin zgjatur rreth 18 muaj, por në ditët e fundit bisedimet morën një kthesë pozitive. Vinicius thuhet se ishte i kënaqur me kushtet e reja dhe dëshironte të vazhdonte karrierën te klubi që më parë e ka cilësuar si “skuadrën e ëndrrave” të tij.
Braziliani iu bashkua Real Madridit në vitin 2018 nga Flamengo dhe që atëherë është shndërruar në një nga figurat kryesore të skuadrës. Ai kishte nënshkruar një tjetër zgjatje kontrate tre vite më parë, ndërsa tani siguron një qëndrim afatgjatë në kryeqytetin spanjoll.
Pas rikthimit nga angazhimet me Brazilin në Kupën e Botës, Vinicius është kthyer në Madrid për përgatitjet parasezonale dhe testet mjekësore me ekipin.
Me fanellën e Real Madridit, sulmuesi ka zhvilluar 375 paraqitje në të gjitha kompeticionet dhe ka shënuar 128 gola. Me kombëtaren e Brazilit, ai numëron 13 gola në 54 ndeshje.














