Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, njoftoi se sot është zhvilluar takimi i rregullt koordinues për zbatimin e Agjendës së Reformave, me pjesëmarrjen e Kryeministrit dhe institucioneve përgjegjëse.
Sipas Salit, gjatë takimit u konfirmua se dokumenti që përmbledh detyrimet e përmbushura dhe progresin e arritur është dorëzuar në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se ky hap dëshmon edhe një herë përkushtimin e institucioneve për realizimin e reformave dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.
“Reformat mbeten prioriteti ynë. Me koordinim të mirë institucional dhe punë të përkushtuar, do të vazhdojmë të realizojmë detyrimet që sjellin rezultate konkrete për qytetarët dhe e afrojnë vendin drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Sali në një njoftim të publikuar në Facebook.
Takimi koordinues është pjesë e aktiviteteve të rregullta të institucioneve për monitorimin e zbatimit të Agjendës së Reformave dhe përmbushjen e obligimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian.














