Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar nënshkrimin e marrëveshjes për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, e cila u dogj në luftë.
“Sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj. Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore” ka njoftuar Kurti.
Ai bëri me dije po ashtu edhe nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunim me Bashkësinë Islame, për forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.
“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999” deklaroi Kurti.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Xhamia e Ibrit, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, do të rindërtohet.
Sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj. Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore.
Në vazhdim, nënshkruam edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.
Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim.














