Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski vazhdon të insistojë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese me kushtet aktuale, duke nënvizuar se nëse është e nevojshme vendi do të presë të kalojnë dekada të tjera. Nga ana tjetër, Brukseli mbetet i vendosur: Nuk ka hapje të negociatave pa ndryshime kushtetuese, transmeton Portalb.mk, përcjell Pollogu.news
Mickoski thotë se për momentin nuk e ka ndërmend të futet në ‘aventura’.
“Nëse është e nevojshme edhe ne do të presim dekada, por politikat që në mënyrë direkte ndikojnë në identitetin tonë, ndërsa nga ana tjetër nuk ofrojnë parashikueshmëri dhe fund të qartë të këtij procesi, unë e kam thënë dhe do ta përsëris, nuk e kam ndërmend, derisa unë jam kryeministër, me asnjë lloj çmimi, të futem në një aventurë të tillë. Ne mund të futemi në aventurë, nuk e injorojmë ‘elefantin’, elefantin e kemi në dhomë, e prunë ata të mëparshmit, por pa pasur një fund të qartë dhe pa e ditur çfarë fitojnë maqedonasit në Bullgari, pa pasur përfundime të qarta nga Këshilli Evropian, ne nuk do të futemi në asnjë aventurë që neve do të në çojë në kënetë politike,” tha Mickoski.
Në ndërkohë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori francez në Shkup, Kristof Le Rigoler, tha se Franca ofron mbështetje ekspertize dhe institucionale për reformat, por hapja e klasterëve në negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në kushtëzohet nga ndryshimet kushtetuese.
Ai tha se sot ndodhemi në një kontekst që ndoshta është historik, ku nga njëra anë kemi institucione evropiane, shtete anëtare që janë lehtësisht të prirura politikisht për zgjerimin e Bashkimit.
“E kemi thënë, e kemi përsëritur dhe do ta përsërisim se kuadri negociator nuk do të ndryshohet sepse e kemi, ai është pranuar nga të gjithë dhe sot brenda këtyre kornizave procesi eurointegrativ i Maqedonisë duhet të zhvillohet, dhe ai kalon përmes miratimit të kuadrit kushtetues”, tha Le Rigoler.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.















Comments are closed