9 Korriku i vitit 1997 mbetet një nga datat më të dhimbshme dhe më domethënëse në kujtesën kolektive të shqiptarëve në Maqedoni. Në këtë ditë, qytetarët e Gostivarit dhe rrethinës dolën në mbrojtje të një simboli që përfaqësonte identitetin, dinjitetin dhe historinë – Flamurin Kombëtar Shqiptar.
Gjithçka kishte nisur pas zgjedhjeve lokale të vitit 1996, kur përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike ndërmorën hapa për avancimin e barazisë ndëretnike në vend. Në mbledhjen e parë të Këshillit Komunal, më 27 janar 1997, në përputhje me procedurat ligjore dhe juridike, u ngrit Flamuri Kombëtar Shqiptar para ndërtesës së Komunës së Gostivarit, përcjell Pa Censurë.
Vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagim të menjëhershëm nga autoritetet shtetërore. Më 21 maj 1997, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë kërkoi heqjen e tij, duke vlerësuar se me këtë akt cenohej sovraniteti i shtetit. Më 8 korrik, në orët e vona të natës, Kuvendi miratoi një ligj që lejonte përdorimin e kufizuar të flamujve të komuniteteve, por vetëm në dimensionin privat dhe kulturor.
Megjithatë, pa pritur hyrjen në fuqi të këtij ligji, në orën 01:30 të mëngjesit të 9 korrikut 1997, forcat speciale të policisë maqedonase larguan Flamurin Kombëtar Shqiptar nga ndërtesa e komunës. Ky veprim u bë shkak që mijëra qytetarë të mblidheshin para komunës për të protestuar në mënyrë paqësore kundër këtij vendimi.
Vetëm pak orë më vonë nisën arrestimet. Rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë u privuan nga liria, mes tyre edhe kryetari i atëhershëm i komunës, Rufi Osmani, kryesuesi i Këshillit Komunal, Refik Dauti, si dhe shumë figura të tjera publike.
Bilanci i asaj dite ishte tragjik. Tre shqiptarë humbën jetën, qindra të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa shumë qytetarë u përballën me dhunë dhe keqtrajtime. Pasojat e asaj dite vazhduan edhe më vonë, pasi shumë prej të lënduarve bartën për vite me radhë plagët fizike dhe shpirtërore të represionit.
Pas ngjarjeve u zhvillua procesi gjyqësor i njohur si “Procesi i Gostivarit”, i cili përfundoi më 16 shtator 1997. Në këtë proces, Rufi Osmani u dënua fillimisht me 14 vite burg, ndërsa më vonë dënimi iu ul në shtatë vite. Pas miratimit të ligjit për amnisti në vitin 1999, ai u lirua pasi kishte kaluar rreth dy vite në burgjet e Maqedonisë. Dënime pati edhe për Kryetarin e Tetovës, Alajdin Demiri dhe Kryesuesin e Këshillit, Vebi Bexheti.
Sot, dekada më vonë, Flamuri Kombëtar Shqiptar valëvitet lirshëm para ndërtesës së Komunës së Gostivarit. Ai nuk është vetëm një simbol kombëtar, por edhe një kujtesë e sakrificës, qëndresës dhe përpjekjes së shqiptarëve për barazi, dinjitet dhe respekt.
9 Korriku nuk është vetëm një datë në kalendar. Është kujtesë, përgjegjësi dhe amanet për të mos harruar kurrë ata që sakrifikuan dhe vuajtën për të drejta që sot gëzojmë.















Comments are closed