Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia do të luftojë kundër përpjekjeve që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, duke theksuar se katër shtete anëtare të kësaj aleance nuk e njohin pavarësinë e saj, raporton Anadolu.
Duke folur në Pançevo, Vuçiç tha se është në dijeni për një nismë të tre kongresmenëve amerikanë drejtuar Dhomës së Përfaqësuesve për integrimin e Kosovës në NATO.
“Ne po bisedojmë me ta dhe shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që diçka e tillë të mos ndodhë. Mos harroni se ka katër vende anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk shoh si mund të kalojë lehtë, por le të presim të shohim”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se Prishtina, siç tha ai, ka tentuar të arrijë bashkëpunim më të ngushtë me NATO-n edhe përmes vendeve anëtare si Kroacia dhe Shqipëria.
Duke komentuar raportimet e mediave për bashkëpunimin e supozuar të Institutit të Shkencave Bërthamore “Vinça” me kompaninë shtetërore ruse Rosatom, dhe se Vuçiq dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “po përgatisin diçka”, ai i hodhi poshtë këto pretendime si të pabaza.
“Këto janë budallallëqe. Ne përpiqemi të zgjidhim disa probleme farmaceutike me disa ekspertë të mirë që kemi në ‘Vinça’, dhe dikush mendon se po bëjmë bombë atomike”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se këto pretendime janë rezultat i dezinformatave që përhapen përmes rrjeteve sociale.









