Sot mbushen 31 vjet nga atentati ndaj presidentit të parë të Maqedonisë së pavarur, Kiro Gligorov. Atentati u krye më 3 tetor 1995, në orën 09:50, me një makinë-bombë në rrugën “Maqedonia”, përpara hotelit “Bristol” në Shkup.
Gligorov po udhëtonte me automjetin zyrtar nga rezidenca e tij drejt vendit të punës në Kuvend.
Në një automjet të tipit “Citroën Ami 8” ishin fshehur 20 kilogramë eksploziv, të cilët u aktivizuan nga distanca. Para shpërthimit, një makinë e tipit “Fiço” kishte ngadalësuar lëvizjen e automjetit të presidentit.
Gligorov i mbijetoi atentatit, por pësoi lëndime të rënda në kokë. Shoferi i tij, Aleksandar Spirovski, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa truproja Ilço Teovski u plagos.
Hetimet konstatuan se atentati ishte përgatitur dhe organizuar mirë. Megjithatë, edhe pas kaq vitesh, publiku ende nuk e di kush qëndron pas tij.
Gjatë hetimeve u kontrolluan 30.850 automjete dhe mbi 15.000 objekte. U verifikua identiteti i më shumë se 188.000 personave, prej të cilëve 19.000 iu nënshtruan kontrollit fizik.
Pas disa muajsh trajtimi, më 10 janar 1996, Gligorov iu rikthye detyrës së presidentit. Pas përfundimit të mandatit të dytë, atë e pasoi Boris Trajkovski, i cili më vonë humbi jetën tragjikisht në një aksident ajror pranë Mostarit.
Gligorov ishte funksionari politik më i moshuar në Maqedoni. Më 17 nëntor 1999, kur përfundoi mandatin e tij të dytë presidencial, ishte 82 vjeç. Ai ndërroi jetë më 1 janar 2012, në moshën 94-vjeçare.
Si presidenti i parë i Maqedonisë së pavarur, Gligorovit i njihet edhe merita për ndarjen paqësore të vendit nga ish-Jugosllavia.















Comments are closed