Drejtori i Ndërmarrjes Komunale “Sharri”, Valon Zeqiri, ka njoftuar se sot kanë nisur kontrollet intensive në terren për montimin e ujëmatësve digjital dhe zbulimin e kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në Tetovë.
Sipas njoftimit, aksioni përfshin vendosjen e 1,000 ujëmatësve digjital tek harxhuesit më të mëdhenj të ujit, me fokus në qendrat tregtare, restorantet, autolarjet dhe fabrikat. Nga Ndërmarrja Komunale “Sharri” thonë se qëllimi është sigurimi i ujit të pijshëm për çdo qytetar dhe ndëshkimi i keqpërdoruesve.
Gjatë kontrolleve të sotme, ekipet në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal kanë zbuluar në një qendër tregtare lidhje të jashtëligjshme në rrjetin e ujësjellësit, si dhe kyçje të kanalizimit fekal në rrjetin atmosferik, duke e cilësuar rastin si “katastrofë ekologjike” për qytetin.
Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se janë siguruar dëshmi dhe se do të pasojnë masa rigoroze ligjore ndaj të gjithë shkelësve. Kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
“Paguaj ujin që të kesh”, thuhet në mesazhin e ndërmarrjes, duke apeluar që qytetarët dhe bizneset të bëjnë kyçje të ligjshme dhe të shmangin keqpërdorimet.















Comments are closed