Seanca kryesore gjyqësore për rastin “Lotaria Shtetërore”, në të cilin janë të akuzuar tetë persona, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes.
Një pjesë e avokatëve të të akuzuarve para gjykatës kanë deklaruar se nuk e kanë marrë aktakuzën, si dhe se nuk u janë dhënë për shqyrtim provat e Prokurorisë.
Gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jolevski ka shpjeguar se materiali dëshmues është voluminoz dhe përmban 231 prova materiale dhe shtatë prova verbale. Për shkak të vëllimit, provat nuk janë dërguar me postë, por janë siguruar në kuti në gjykatë, ku mbrojtësit mund t’i marrin dhe t’i shqyrtojnë.
Mbrojtja e të akuzuarit të parë, Perpëtim Bajrami, i cili ndodhet në arrati, gjithashtu ka deklaruar se nuk e ka marrë aktakuzën. Gjykata ka njoftuar se aktakuza, së bashku me materialin dëshmues, do t’i dorëzohet mbrojtjes.
Meqë bëhet fjalë për një lëndë paraburgimi, avokatëve do t’u lihen rreth dhjetë ditë për t’u njohur me provat. Më pas, seancat pritet të zhvillohen dy herë në javë.
Në këtë rast janë të akuzuar Perpëtim Bajrami, Artan Grubi, Metodija Dimovski, Skender Mehmet, Bojan Mehmet, Fatmir Ramafanovski, Aleksandar Dimitrovski dhe Bashkim Avdi. Ata akuzohen për keqpërdorime të lidhura me funksionimin e Lotarisë Shtetërore.
Sipas aktakuzës, me veprimet që u ngarkohen të akuzuarve, Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm prej rreth 8.2 milionë eurosh.
Aktakuzën në gjykatë e përfaqësojnë prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.















Comments are closed