I Dërguari i Allahut, Muhammedi a.s. ka thënë për natën e Kadrit:
“Kush e kalon natën e Kadrit në adhurim, me besim dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, do t’i falen mëkatet e mëparshme.”
Kjo natë e bekuar është më e vlefshme se një mijë muaj, prandaj është mirë që ta shfrytëzojmë me sa më shumë vepra të mira dhe adhurime. Ja disa mënyra se si mund ta kalojmë këtë natë në mënyrën më të dobishme:
. Leximi dhe studimi i Kur’anit
Muaji i Ramazanit është muaji i Kur’anit. Allahu i Madhëruar thotë:
“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin filloi shpallja e Kur’anit, udhëzim për njerëzit dhe argument i qartë i rrugës së drejtë.” (El-Bekare, 185)
Prandaj përpiquni që një pjesë të madhe të natës ta kaloni duke lexuar Kur’anin, duke dëgjuar leximin e tij, duke lexuar përkthimin e kuptimeve ose duke studiuar libra të tefsirit.
2. Namazi i natës dhe teravitë
Përpiquni që këtë natë ta zbukuroni me namazin e natës dhe me namazin e teravive. Çdo rekate i falur me sinqeritet është një hap më afër mëshirës dhe faljes së Allahut.
3. Kërkimi i faljes dhe lutjet
Kjo është një natë shumë e përshtatshme për pendim dhe lutje. Përmendeni sa më shumë Allahun (bëni dhikër), kërkoni falje për mëkatet tuaja dhe bëni dua për veten, familjen tuaj dhe për gjithë muslimanët.
4. Dërgimi i salavateve për Profetin
Përpiquni që në këtë natë të dërgoni sa më shumë salavate për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin a.s., sepse çdo salavat është shkak për shpërblim të madh dhe falje të mëkateve.
5. Dhënia e sadakasë
Nëse keni mundësi, ndani sadaka dhe ndihmoni njerëzit në nevojë. Vlera e veprave në këtë natë është shumëfish më e madhe, sikur të kishit bërë atë vepër për një periudhë shumë të gjatë.
6. Dëgjimi i ligjëratave dhe mësimi fetar
Lexoni literaturë islame, ndiqni programe në xhami ose ligjërata fetare. Fitimi i dijes islame është një vepër e madhe dhe shumë e shpërblyer.
7. Kaloni një pjesë të kohës me familjen
Është mirë që një pjesë të natës ta kaloni me familjen duke përmendur Allahun së bashku, duke lexuar ose dëgjuar Kur’an, duke bërë dua dhe duke dërguar salavate.
8. Falja e namazit të sabahut me xhemat
Pas një nate adhurimi, mos e humbni namazin e sabahut. Ai që fal namazin e jacisë dhe të sabahut me xhemat, është sikur e ka kaluar tërë natën në adhurim.
Le të jetë kjo natë një mundësi për t’u afruar më shumë me Allahun, për të kërkuar falje dhe për të forcuar besimin tonë. Nëse e shfrytëzojmë me sinqeritet, ajo mund të bëhet një pikë kthese në jetën tonë shpirtërore.
Hfz. Mehas Alija















Comments are closed