Lekë Sahatçiu nga Departamenti Ligjor i “Devolli Group”, pjesë e së cilit është edhe qumështorja “Vita”, ka mohuar të gjitha gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të prezantuara gjatë ditës së sotme. Gjithashtu është mohuar edhe që furnizohen nga sistemi i ujitjes nga “Drini i Bardhë”.
Analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit kanë rezultuar se gati çdo i pesti produkt i qumështit në Kosovë përmban përbërës të padeklaruar në etiketë.
Në përgjigjet për KOHËN, Sahatçiu ka thënë se nuk është e vërtetë që produktet e qumështores “Vita”, kanë përmbajtje të produkteve të padeklaruara pasi sipas tij ato do të tërhiqeshin nga vetë Inspektorati.
“Produktet tona, të markës “Vita” janë 100% qumësht i fermerëve tonë dhe për këtë garantojmë ligjërisht dhe moralisht. Për më tepër, çdo produkt që del nga fabrika jonë, përmbajtja e tyre është e deklaruar në formën e përcaktuar me ligjin e aplikueshëm të Republikës së Kosovës. Nëse do të ishte e kundërta, ato produkte do të tërhiqeshin nga tregu nga vetë inspektorati, ndërkaq deri më sot, nuk jane tërhequr të njëjtat, sepse janë në përputhje me ligjin”, thuhet në përgjigje.
Tutje Sahatçiu ka mohuar edhe deklarimet e minsitrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, për numrin e punëtorëve dhe sasinë e qumështit të pranuar të fermerëve.
“Janë të pavërteta dhe shpifëse. Nuk e kuptojmë tendencën e Ministrit Muja për të e sulmuar Fabrikën tonë. Ndër shpifjet e tjera, është edhe prezentimi i rremë i numrit të punëtorëve, duke përdorur të dhëna për një kompani tjetër (Devolli Group), ndërkaq emri i kompanisë tonë është Abrazen LLC. Gjithashtu, manipulimi dhe e pavërteta tjetër e Ministrit Muja është se kinse ne kemi pranuar qumësht nga fermerët për 3 vite në sasi prej 9,000,000. Ai raport nuk është për 3 vite, por vetëm për periudhën Janar – Prill 2026, e jo për 3 vite”, thuhet tutje në përgjigjet e pyetjeve që KOHA i ka drejtuar kësaj kompanie.
Ministri Muja në konferencën e mbajtur për këtë çështje, paralajmëroi edhe kallëzim penal ndaj kompanisë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë”, pasi sipas Mujës, kjo kompani ka keqpërdorur dhe shkelur marrëveshjen për ujin e sistemit të ujitjes duke e dërguar të njëjtin te qumështorja “Vita” ndonëse ai ishte i dedikuar për ujitje për fermerët në Istog.
Sahatçiu ka mohuar një gjë të tillë. Në përgjigje thuhet që ata furnizohen me ujë direkt nga burimi me investime vetanake.
“Nuk përdorim ujin e sistemit të ujijtes. Ne furnizohemi me ujë direkt nga burimi, sipas investimeve vetanake të bera në vitin 2014, në vlerë mbi 1,000,000 EUR, për furnizim me ujë. Për më tepër, ne jemi të pajisur me Leje për Shfrytëzimin e Ujit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me datë 24.08.2021. Më tutje, ne jemi të pajisur edhe me Lejen Mjedisore, ku përfshihet shfrytëzimi dhe shkarkimi i ujërave, duke marrë parasysh edhe impiantin e pastrimit të ujit, gjithashtu investim mbi 500,000 EUR, i realizuar në vitin 2021. Ky investim është i pari në Republikën e Kosovës nga një fabrikë e përpunimit të qumështit”, thuhet në përgjigje.














