Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi mbrëmë në një paraqitje televizive në TV 21 se janë ngritur kallëzime penale kundër dhjetë personave të dyshuar për lidhje me prodhimin dhe shpërndarjen e paligjshme të drogave narkotike, si pjesë e hetimit në lidhje me 40 tonët kanabis të sekuestruar. Ai theksoi se dy nga të dyshuarit janë tashmë në paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh, dhe hetimi i udhëhequr nga Ministria e Brendshme (MPB) në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) lidhet gjithashtu me drogat e gjetura në Serbinë fqinje, për të cilat ka indikacione se ato vijnë nga objektet e prodhimit për të ashtuquajturin kanabis mjekësor në vend, transmeton Portalb.mk.
Kallëzimi penal, siç tha ai, është rezultat i një hetimi të gjerë dhe aktiviteteve të ndërmarra në periudhën e kaluar.
“Në këtë fazë të hetimit, janë ngritur kallëzime penale kundër dhjetë personave për të cilët kemi dyshime të arsyeshme se janë të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me prodhimin dhe shpërndarjen e paligjshme të drogave të prodhuara. Gjithashtu kemi dyshime të arsyeshme se këta persona janë të lidhur me transportin e marihuanës, e cila u sekuestrua në Serbi”, tha ai.
Ministria e Brendshme më 7 shkurt, informoi se është duke u zhvilluar një aksion në shkallë të gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marihuane. Rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1,300 shishe vaj kanabisi të prodhuar (gjysmëprodukt) u gjetën dhe u sekuestruan nga një person juridik në Shkup. Mbi 31 ton marihuanë dhe biomasë u sekuestruan nga persona juridikë në rajonin lindor.















Comments are closed