Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin publik se është duke u zhvilluar një aksion gjithëpërfshirës, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marihuane. Në një person juridik (kompani) në Shkup janë gjetur dhe sekuestruar rreth nëntë tonë marihuanë dhe mbi 1300 shishe me vaj kanabisi të prodhuar (gjysmëprodukt). Ndërkohë, nga persona juridikë në rajonin lindor të vendit, janë sekuestruar mbi 31 tonë marihuanë dhe biomasë.
Në koordinim me Drejtorinë e Doganave dhe Komisionin përkatës për kontrollin e kësaj veprimtarie nga Ministria e Shëndetësisë, janë kryer kontrolle në disa persona juridikë, veprimtaria kryesore e të cilëve është kultivimi i bimëve erëzuese, aromatike dhe mjekësore për përdorim në farmaci. Gjithashtu, në koordinim me prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), po ndërmerren masa dhe aktivitete për të vërtetuar faktet nëse marihuana e sekuestruar së fundmi në Republikën e Serbisë e ka origjinën nga shteti ynë.
Duke pasur parasysh se një nga personat e dyshuar dhe të ndaluar në Serbi është pjesë e strukturës pronësore të kompanisë në Shkup, janë kryer kontrolle të detajuara të sasisë së gjetur dhe të dokumentacionit të plotë në ambientet e kësaj kompanie. Bazuar në dokumentacionin e gjetur, Komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë ka hartuar një procesverbal ku janë konstatuar një sërë parregullsish në operim dhe mospërputhje të mëdha në lidhje me sasitë që kompania zotëron, prodhon, blen dhe tjetërson. Për shkak të këtyre parregullsive dhe pas njoftimit nga prokurori kompetent, e gjithë sasia e marihuanës është konfiskuar nga ambientet e kompanisë.
Kontrolle të ngjashme janë kryer edhe në disa kompani në rajonin lindor, ku komisioni kompetent ka konstatuar gjithashtu parregullsi dhe mospërputhje të sasive, me ç’rast është sekuestruar e gjithë sasia e gjetur.
Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me PTHP NKOK, ku është formuar një ekip i posaçëm për këtë rast dhe lëndë të ngjashme, do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme me ndërmarrjen e masave për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve. MPB do të informojë detajisht publikun pas përfundimit të aksionit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave.















Comments are closed