Do të kemi mundësi të fillojmë një cikël takimesh, përkatësisht brifingjesh me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë rezidentë në vendin tonë. Vlerësoj se në këtë mënyrë mund t’i afrojmë më shumë aktivitetet që si Qeveri po i realizojmë, e që lidhen me Agjendën Reformuese”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në brifingun e sotëm për Agjendën Reformuese me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.
Mickoski theksoi se një pjesë e reformave po realizohen, ndërsa një pjesë tjetër, siç tha ai, për arsye objektive nuk do të realizohen, dhe për këtë janë njoftuar përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
“Si Qeveri, kur u zgjodhëm para gati 20 muajsh, kishim një listë indikative të hapave që duhej t’i realizonim, praktikisht gjatë vitit të parë e gjysmë.
Ato miratoheshin, përvetësoheshin e të ngjashme, duke punuar në bashkëpunim me BE-në. Diku në fillim të vitit 2025 pritej që ky proces të përmbyllej dhe të fillonte zbatimi i hapave. Normalisht, derisa ky proces po intensifikohej, mendoj se u realizua një numër i caktuar hapash, por më pas u shpallën zgjedhjet lokale dhe për shkak të legjislacionit tonë vendor, nuk arritëm ta ndjekim atë dinamikë sipas ambicieve tona. Parlamenti atëherë ishte praktikisht në gjendje teknike dhe nuk funksiononte, ashtu si edhe institucionet e tjera, ndaj pati një pauzë disa mujore. Por menjëherë pas zgjedhjeve lokale, diku nga muaji nëntor, u punua intensivisht në Agjendën Reformuese dhe në realizimin e hapave që janë pjesë e saj, përkatësisht atyre që mund t’i realizojmë.
Ato që nuk mundemi t’i realizojmë, në mënyrë objektive shpjegojmë pse nuk mundemi, sepse nuk dëshirojmë të jemi Qeveri që një gjë u premton partnerëve tanë ndërkombëtarë, e tjetër bën pas perdeve. Ato që mund t’i realizojmë do t’i realizojmë, për ato që nuk mundemi do t’i paraqesim argumentet tona, dhe jemi gjithmonë të gatshëm për dialog të sinqertë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me partnerët nga BE-ja”, theksoi kryeministri Mickoski.
Mickoski porositi se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje, pasi Qeveria është e fokusuar në realizimin e reformave dhe vendosjen e rendit në shtet.
“Nuk do të kemi zgjedhje këtë vit. Që të mos ketë dilema, sepse shpeshherë më pyesni nëse do të ketë zgjedhje, ja edhe vetë kjo agjendë ambicioze tregon se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje, sepse jemi të përqendruar në reforma dhe në vendosjen e rendit në shtet. Të tilla janë projektet si ‘Qytet i Sigurt’, të cilat për fat të keq disa nga opozita i keqpërdorin dhe përpiqen t’i politizojnë, e disa edhe t’i etnizojnë. Pastaj, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, disa ligje që do të nënkuptojnë siguri për shëndetin e qytetarëve, si Ligji për duhanin.
Po punojmë me palët e interesit, me prodhuesit dhe sektorët e prekur, si gastronomia dhe turizmi, dhe mendoj se brenda disa javësh do të arrijmë një zgjidhje që do ta mbështesim të gjithë së bashku. Po ashtu, ka edhe ligje të tjera, si Ligji për lojërat e fatit, ligjet që janë pjesë e drejtësisë, disa prej tyre i kemi kaluar, ndërsa disa do t’i shqyrtojmë të martën në seancë qeveritare”, tha ai dhe shtoi:
“Kështu që këtë vit kemi një agjendë reformuese mjaft ambicioze që dëshirojmë ta përfundojmë. Qëllimi është ta bëjmë detyrën e shtëpisë, e më pas u takon vendeve anëtare të BE-së të vendosin se si do të vazhdohet më tej”, theksoi ai.
Kryeministri Mickoski përfundoi se brifingu i radhës do të mbahet në muajin mars, pastaj në qershor dhe më pas, siç tha ai, do të organizohen brifingje të paktën një herë në çdo tremujor, me qëllim që përfaqësuesit ndërkombëtarë të informohen për hapat e realizuar në kuadër të Agjendës Reformuese.















Comments are closed