Është shkurtuar dënimi me burg për ish-gjykatësin e Gjykatës Supreme, Naqe Georgiev, i cili ishte dënuar për marrje ryshfeti, pasi Gjykata e Apelit në Shkup ia ka pranuar kërkesën për lirim me kusht dhe ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Penale, duke e bërë atë përfundimtar. Sipas vendimit të konfirmuar, Georgiev nuk do të qëndrojë në burg deri në maj të vitit 2027, por do të lirohet që këtë verë, që do të thotë se në total do të vuajë rreth dy vjet e dy muaj burg.
Më herët, Gjykata Penale ia kishte ulur dënimin që të lirohej në shtator të këtij viti, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për Georgievin, i cili kishte paraqitur ankesë në Apel. Atje, ish-kolegët e tij gjyqtarë ia shkurtuan dënimin edhe për dy muaj të tjerë. Në ankesë, Georgiev kishte theksuar se është sjellë në mënyrë shembullore në burg, ka respektuar rregullat, si dhe se është 63 vjeç dhe me gjendje të përkeqësuar shëndetësore. Këto argumente janë pranuar nga gjykata.
Gjithashtu, një pjesë të dënimit Georgiev e ka vuajtur në regjim të lehtësuar. Që nga maji i vitit të kaluar ishte angazhuar si magazinier, duke dalë nga burgu gjatë ditës dhe duke u kthyer në mbrëmje, praktikisht vetëm për të fjetur në qeli. Njëkohësisht, ka shfrytëzuar edhe leje fundjave. Ndryshe, Georgiev kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në rastin e marrjes së ryshfetit nga djali i ish-kryetarit të komunës së Novo Sellës, Boro Stojçev.
Me marrëveshjen pranoi dënim me tre vite burg, si dhe ndalim për ushtrimin e profesionit apo funksionit publik për tre vite.
Ai ishte kapur duke marrë ryshfet prej 10.000 eurosh.















Comments are closed