Tensione serioze janë regjistruar, sipas Axios, në samitin e ministrave të Jashtëm të G7, për shkak të qëndrimit të Perëndimit ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë. Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian nxori në pah klimën e mosbesimit që po mbizotëron mes aleatëve.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, i drejtoi drejtpërdrejt sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, pyetjen se kur Shtetet e Bashkuara do të adoptojnë një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës. Deklarata e saj shkaktoi reagime të forta, me diskutimin që u kthye në një nga momentet më të tensionuara të samitit.
Kallas kujtoi se një vit më parë SHBA kishin paralajmëruar masa më të rrepta në rast se Rusia nuk do të bashkëpunonte. “Ka kaluar një vit dhe nuk ka ndryshuar asgjë”,mësohet të ketë thënë ajo, duke kërkuar një përgjigje të qartë se kur do të mbarojë durimi amerikan.
Sipas burimeve diplomatike, Marco Rubio reagoi dukshëm i irrituar, duke theksuar se SHBA po bëjnë gjithçka të mundur për t’i dhënë fund luftës.
Madje, ai u përgjigj me tone të larta se, nëse evropianët besojnë se mund ta menaxhojnë më mirë situatën, mund të veprojnë vetë, duke lënë të kuptohet edhe mundësia e një distancimi nga Uashingtoni.
Ai theksoi gjithashtu se SHBA po komunikojnë me të dyja palët, ndërkohë që vazhdojnë të mbështesin aktivisht Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe informative.
Pas përplasjes së fortë, ministrat evropianë ndërhynë për të theksuar se dëshirojnë vazhdimin e përpjekjeve diplomatike me pjesëmarrjen e SHBA-së. Në fund të takimit, dy zyrtarët zhvilluan një bisedë të shkurtër kokë më kokë, në përpjekje për të ulur tonet.
Pavarësisht klimës së tensionuar që përshkruajnë burimet, pala amerikane e minimizoi incidentin, duke e cilësuar si një “shkëmbim të sinqertë mendimesh”.
Vetë Rubio, duke folur për gazetarët, mohoi se kishte pasur tension, duke këmbëngulur se takime të tilla karakterizohen nga bashkëpunim dhe vlerësim i ndërsjellë.
Prej kohësh, kryeqytetet evropiane shfaqen të rezervuara për rolin e SHBA në përpjekjet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Kriza në Lindjen e Mesme dhe fokusi në rritje i Uashingtonit ndaj Iranit po shtojnë shqetësimin se Ukraina mund të kalojë në plan të dytë, në një kohë kur nuk është shënuar progres i dukshëm në frontin diplomatik.















Comments are closed