Në oborrin e Shkollës Fillore “Liria” në fshatin Jabollçishtë e Poshtme, Komuna e Çashkës, është përuruar këndi i lojërave “Parku i Miqve”, donacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i realizuar përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.
Sipas njoftimit të publikuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup në rrjetet sociale, ky investim është dedikuar për fëmijët dhe banorët e fshatit dhe është pjesë e aktiviteteve në kuadër të diplomacisë publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Gjatë ceremonisë së përurimit, ambasadori Florian Qehaja theksoi se, ndonëse bëhet fjalë për një donacion modest në përmasa, ai ka një simbolikë të veçantë dhe dëshmon përkushtimin e Kosovës për të qenë pranë qytetarëve të kësaj zone, si dhe për të forcuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ai gjithashtu vlerësoi se donacioni përfaqëson lidhjen e ngushtë të Kosovës me shqiptarët në këtë rajon, duke e cilësuar njëkohësisht si shenjë mirënjohjeje për kontributin që shqiptarët jashtë Kosovës kanë dhënë për kauzën e shtetësisë së Kosovës.
Shkolla Fillore “Liria” ndiqet nga rreth 200 nxënës, ndërsa Komuna e Çashkës konsiderohet një zonë me rëndësi të veçantë territoriale në Maqedoninë e Veriut, ku jeton një komunitet autokton shqiptar.
Në shenjë falënderimi për këtë kontribut, kryetari i Komunës së Çashkës i ndau një mirënjohje Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, e cila u pranua nga ambasadori Qehaja.















Comments are closed