Tre pompa për rritjen e presionit të ujit në sistemin e ujësjellësit të Gostivarit janë vendosur më 25 qershor, ndërsa denoncimi i parë lidhur me këtë rast është bërë në Ministrinë e Punëve të Brendshme më 16 korrik, u bë e ditur sot gjatë brifingut me gazetarët.
Sipas informacioneve të prezantuara, pas pranimit të denoncimit, MPB-ja ka njoftuar Prokurorinë Publike, ndërsa me urdhër të prokurores Zuhra Selimi, ekipet kompetente kanë dalë në terren po atë ditë, rreth orës 16:00–17:00, për të kryer veprimet hetimore, shkruan ora24.tv.
Gjatë kontrolleve është konstatuar se në sistem ishin vendosur tre pompa, prej të cilave njëra nuk kishte qenë në funksion, ndërsa dy të tjerat ishin të instaluara në komorën e sistemit të ujësjellësit, me qëllim rritjen e presionit të ujit.
Këto janë informacionet e para të bëra publike nga institucionet gjatë brifingut me gazetarët. Ora24 do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë rast dhe do t’ju informojë në kohë reale për çdo zhvillim të ri.














