Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, ka deklaruar se Dritan Goxhaj nuk ka qenë pjesë e vijave të frontit gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një reagimi publik, Syla ka thënë se Goxhaj iu bashkua UÇK-së vetëm disa javë para përfundimit të luftës dhe se aktiviteti i tij është zhvilluar në territorin e Shqipërisë.
“Lidhur me Dritan Goxhajn, për të cilin në media të ndryshme janë plasuar pohime a pretendime të ndryshme, deklaroj se Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK-së disa javë para mbarimit të luftës, në Helshan të Shqipërisë, jo në Kosovë, jo në front”, thuhet në deklaratën e Sylës.
Sipas tij, pretendimet se Goxhaj ka qenë pjesë e luftimeve në front nuk qëndrojnë, duke theksuar se angazhimi i tij ka ndodhur jashtë territorit të Kosovës dhe në fazën përfundimtare të luftës.
Deklarata e Sylës vjen në kohën kur emri i Dritan Goxhajt është përmendur në debatet publike që lidhen me protestat e fundit në Tiranë, ku ai po shërben si zëdhënës i organizatorëve.















Comments are closed