Në një intervistë televizive, Bejxheti argumentoi se, mes përplasjes për emra me ngarkesë komuniste dhe atyre me karakter kombëtar shqiptar, një zgjidhje kompromisi do të ishte një figurë historike që, sipas tij, i dha një goditje të rëndë Serbisë.
“Unë mendoj se emri duhet të jetë ai i vojvodës së njohur bullgar, Vlado Çernozemski. Ai, së bashku me Ante Paveliqin, në vitin 1934 në Marsejë, vrau mbretin serb (jugosllav) Aleksandër. Që Maqedonia të bëhej e pavarur, a e vrau ai mbretin e Serbisë? Po! Atëherë pse të mos e nderojmë?”, deklaroi Bejxheti.
Për të mbështetur qëndrimin e tij, ai bëri një krahasim mes lëvizjes së kaçakëve në Kosovë dhe veprimtarisë së VMRO-së së asaj kohe.
“Sipas tij, kaçakët në Kosovë në kohën e Azem Bejtës vranë vetëm një xhandar, ndërsa pjesëtarët e VMRO-së vranë mbretin e Serbisë. Prandaj, Tetova, si qendra e shqiptarëve, duhet ta nderojë Vlado Çernozemskin me një monument, duke treguar se Maqedonia është shtet i pavarur dhe nuk ka lidhje me Serbinë”, u shpreh historiani.
Ndërkohë, procesi për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është pezulluar përkohësisht, pasi partitë opozitare shqiptare, përmes protestave, kanë kundërshtuar planet e kryetarit të komunës, Bilall Kasami, dhe shumicës në Këshillin Komunal.














