Kryeministri Mickoski ka përjashtuar publikisht Lençe Ristoskën nga gara për prokurore publike shtetërore, duke sinjalizuar se vendimi i Qeverisë është i paracaktuar pavarësisht vlerësimit maksimal që ajo mori nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Deklarata e tij ka nxitur reagime të ashpra politike dhe ka hapur debat për kriteret dhe transparencën në procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë, shkruan Ersan Pajaziti.
Kryeministri Mickoski ka përjashtuar publikisht Lençe Ristoskën nga gara për prokurore publike shtetërore, duke sinjalizuar se vendimi i Qeverisë është i paracaktuar pavarësisht vlerësimit maksimal që ajo mori nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Deklarata e tij ka nxitur reagime të ashpra politike dhe ka hapur debat për kriteret dhe transparencën në procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë
Gara për postin e prokurorit publik shtetëror po shndërrohet në një betejë të hapur politike, ku vendimet paralajmërohen para se të mbyllet procedura dhe ku vlerësimet profesionale duken të pamjaftueshme për të garantuar barazi në garë. Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se një nga kandidaturat “nuk është në lojë”, edhe pse ka marrë pikët maksimale nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, e zhvendos debatin nga kriteret ligjore te raporti real mes politikës dhe drejtësisë. Në vend të një procesi të ftohtë institucional, përzgjedhja e kreut të Prokurorisë po merr trajtën e një testi për pavarësinë e sistemit dhe kufijtë e ndikimit ekzekutiv mbi organin e ndjekjes penale. Konkretisht kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se për Qeverinë, Lençe Ristoska nuk është kandidate për prokurore publike shtetërore. Edhe pse procedura ligjore kërkon që Qeveria t’i shqyrtojë procesverbalet e Këshillit të Prokurorëve Publikë para se të marrë vendim, Mickoski në një paraqitje televizive në Kanal 5 paragjykoi se Lençe Ristoska “absolutisht nuk është në lojë”.
“Absolutisht jo të gjithë janë në lojë. Qëndrimi im lidhur me atë emër është absolutisht se ai emër nuk është në lojë. Ja, katalizuam të paktën njëfarë përgjigjeje, nga katër, tre janë në lojë”, u shpreh Mickoski. Lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit, reagoi Ristoska, e cila thotë se kur një kandidat përjashtohet paraprakisht pa analizë të programit dhe rrugës së tij profesionale, kjo hap pyetje për natyrën e kritereve që zbatohen.
“Kur një kandidat përjashtohet paraprakisht pa analizë të programit dhe rrugës së tij profesionale, kjo hap pyetje për natyrën e kritereve që zbatohen. Jam e bindur se një përzgjedhje e kësaj rëndësie duhet të bazohet në cilësi, e jo në përshtatshmëri. Profesionistët në sistem duhet ta dinë se puna dhe ekspertiza e tyre janë vlera e vetme që duhet të vendosë. Në të kundërtën, rrezikojmë të dërgojmë mesazhin se, pavarësisht kompetencës, përshtatshmëria është primare e kjo nuk është rruga që duhet të ndjekë një shoqëri demokratike”, thotë Ristoska. Nga VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen duke thënë se ndërsa Ristovska flet publikisht për përshtatshmëri dhe kritere, të paktën të ndalojë së lobuari te funksionarë të VMRO-DPMNE-së. Nga partia në pushtet theksojnë se Ristoska duhet të jetë e vetëdijshme se ka kritere të qarta për atë pozitë dhe se nëse ajo është mësuar që përshtatshmëria të jetë një prej tyre, siç ishte rasti në PSP, ku ajo ishte dora e djathtë e Katica Janevës, këtë herë nuk është kështu. Këto janë kohë të tjera dhe nevojiten integritet, profesionalizëm dhe përgjegjësi, thonë nga VMRO-DPMNE.
“Edhe në kompaninë ‘Mamas’ kanë pranuar persona me kritere më të larta se kriteret që i kanë praktikuar gjatë pranimit të kuadrove në PSP. Është e çuditshme nga ana tjetër që i njëjti person në firmën e tij private të pranojë njerëz sipas kritereve të caktuara, ndërsa kur zgjidhte për Prokurorinë Publike të pranonte njerëz që e dëgjonin pa kushte dhe pa asnjë kriter. Duhet të jemi të sinqertë, përshtatshmëria është atributi dhe tipari më i fortë i Ristoskës dhe mos-zgjedhja e saj është pikërisht sinjal se kjo nuk është vendimtare këtu, por kritere krejtësisht të tjera dhe më të rëndësishme”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër nga LSDM akuzojnë se ndryshimi i prokurorit publik ishte qëllim politik i Mickoskit për vendosjen e kontrollit të plotë mbi gjyqësor dhe prokurori. Social-demokratët nëpërmjet një njoftimi për media thonë se tani po e shohim skenarin për zgjedhjen e një prokurori të ri publik sipas masës së Mickoskit dhe se ai vendos kush do të emërohet. “Edhe pse Ristoska mori maksimumin 10 nga 10 pikë nga Këshilli i Prokurorëve Publik dhe vlerësim pozitiv për profesionalizmin dhe ekspertizën e saj, Mickoski vendos vetë se ajo “nuk është në lojë”, drejtpërdrejt në televizion. Një prokuror i pavarur nuk i përshtatet Mickoskit sepse nuk mund ta kontrollojë. Një profesionist me integritet nuk i përshtatet konceptit të tij, thonë nga LSDM. Nga partia opozitare akuzojnë se oktapodi mediatik i Viktor Orban në Maqedoni dhe 40% e mediave që ai kontrollon tashmë po e festojnë eliminimin e Ristoskës.
“Kujt nuk i është bërë e qartë tashmë? Po vendosin një prokuror nën kontrollin e tyre, kanë emëruar bashkëshorten e një kryetari komune nga VMRO si anëtare të Këshillit Gjyqësor, këshilltar të Mickoskit në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria i di vendimet gjyqësore për proceset që ende nuk kanë përfunduar, ndërsa Mickoski nga foltorja e Kuvendit u jep detyra dhe u thotë si dhe çfarë të bëjnë. Pason varrosja e plotë e drejtësisë dhe shtetit ligjor. Njësoj si në kohën e Nikola Gruevski”, theksojnë nga LSDM. Këshilli i Prokurorëve Publikë para dy ditësh i dorëzoi Qeverisë listën me mendim pozitiv për katër kandidatë për funksionin e prokurorit publik shtetëror, ndër të cilët është edhe Ristoska.















Comments are closed