Rrugëtimi presidencial i Vjosa Osmanit qe më i shkurtër krahasuar me pritshmëritë e shumëkujt që ajo do të vazhdonte të qëndronte në krye të shtetit. Sado që u përpoq, kapitulli i saj si e para e vendit u përmbyll me një pesëvjeçar. I dyti, të paktën deri më tani, duket se është i largët. Më i afërt është rikthimi i saj në politikën jo-neutrale.
Fillimisht në rolin e ushtrueses së detyrës, e më pas si presidente me mandat të plotë, ajo përjetoi të dyja anët e pushtetit: ngritjen dhe peshën e tij. Mandati i saj u karakterizua nga kontraste – nga momente që e vendosën dhe i dhanë vëmendje asaj dhe Kosovës në skenën ndërkombëtare, deri te qëndrime që nxitën përçarje dhe polemika në vend.
Në politikën e brendshme shpesh u perceptua si figurë që nuk arriti të ndërtojë ura të mjaftueshme bashkëpunimi, ndërsa në arenën ndërkombëtare u shqua për një qasje aktive dhe përfaqësim dinjitoz të Kosovës. Në aspektin kushtetues, qëndrimet dhe veprimet e juristes 43 vjeçare, herë pas here u vunë në diskutim.
Gjatë mandatit, arriti të sigurojë tri njohje të reja për Kosovën dhe ta mbajë çështjen e saj të pranishme në forume ndërkombëtare. Megjithatë, brenda vendit, kritikat për mungesë balanci dhe qasje të njëanshme nuk munguan. Pas përvojës si presidente, Osmani me një karrierë të gjatë në politikë, veçse e ka përgatitur terrenin për t’iu rikthyer sërish aktivitetit partiak. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe vetë ajo – që nëse nuk zgjidhet edhe për një mandat, “do i kthehet popullit”.















Comments are closed