Kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, ditën e sotme ka njoftuar, se pas shumë vitesh shtyrje dhe vështirësi, në mandatin e tij komuna ka arritur të ua shlyejë shpërblimet jubilare, arsimtarëve të shkollave, në kuadër të kësaj komune.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se Komuna e Bogovinës ka realizuar pagesën e shpërblimeve jubilare për arsimtarët dhe punonjësit e arsimit që kanë përmbushur kushtet ligjore për përfitimin e tyre.
Pas shumë vitesh neglizhence dhe mosrealizimi nga administratat e mëparshme, ne po vendosim drejtësi dhe po respektojmë kontributin e çmuar të mësimdhënësve tanë. Të gjitha pagesat do të përfundojnë brenda kësaj jave.
Arsimtarët tanë janë shtylla e shoqërisë dhe meritojnë respekt, vlerësim dhe mbështetje. Kjo është një detyrim institucional, por edhe një shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e tyre ndër vite.
I gëzofshin shpërblimet të gjithë përfituesit!”, ka shkruar kreu i komunës së Bogovinës, në Facebook.












