Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, në një takim jo formal me gazetarët duke folur për planet që ka si ministër dhe vizionin për zhvillimin e punimeve foli edhe për shpërndarjen e granteve që iI jep kjo ministri.
Sipas Feratit, paraardhësi i tij, Ivan Stoilkoviç ka ndarë 29 grante të vogla për komunitetin serb nga gjithësej 36 sa kishte në dispozicion, ndërsa pjesa tjetër është ndarë për komunitetet e tjera.
“Dominon vetëm një etnitet dhe ajo është bashkësia serbe. Kjo është e gabuar. Janë mjete të Ministrisë për marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe duhet të ketë një qasje më të barabartë ndaj të gjitha komuniteteve“, është shprehur Ferati.
Sqaroi se qëllimi i këtyre mjeteve duhet të jetë mbështetja e bashkësive të ndryshme dhe forcimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Ferati ka paralajmëruar se kjo çështje duhet të trajtohet me më shumë kujdes dhe se një gjë e tillë me ardhjen e tij në këtë dikaster do të ndalet dhe se të gjitha bashkësitë etnike do të trajtohen në të njëjtën mënyrë.














