Presidenti turk Tajip Erdogan deklaroi të mërkurën se lufta në Iran duhet të ndalet para se i gjithë rajoni të “digjet”, duke shtuar se diplomacisë duhet t’i jepet një shans.
Javën e kaluar, mbrojtja ajrore e NATO-s bllokoi dy raketa iraniane mbi Turqinë jugore, ku ndodhen bazat ajrore dhe radare të NATO-s dhe SHBA-së, të cilat që atëherë janë përforcuar.
”Lufta duhet të ndalet para se të përhapet dhe të djegë të gjithë rajonin. Nëse i japim një shans diplomacisë, ka shumë të ngjarë që kjo të arrihet,” tha Erdogan para parlamentit.
”Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e momentit në të cilin ndodhemi, fjalët tona janë shumë të matura, veprimet tona janë të kujdesshme me qëllim që të mbrojmë Turqinë nga zjarri që e rrethon,” shtoi presidenti Erdogan, duke theksuar se Ankara është në kontakt me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës.
Turqia ofroi ndërmjetësim para fillimit të sulmeve amerikano-izraelite dymbëdhjetë ditë më parë.
Që atëherë, Erdogan ka bërë thirrje vazhdimisht për një zgjidhje diplomatike të luftës, duke paralajmëruar se Turqia do t’i përgjigjet çdo kërcënimi ndaj sigurisë së saj kombëtare.
Erdogan kritikoi lëvizjet amerikane, izraelite dhe iraniane dhe e quajti operacionin amerikano-izraelit një “shkelje të qartë” të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, si shumica e liderëve botërorë, ai nuk e përmendi shprehimisht presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin ka marrëdhënie të mira personale.














Comments are closed