Së bashku me ministrin e Shëndetësisë Sasho Klekovski, drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik – Tetovë Shqir Zulbeari, kanë vizituar pacientët e helmuar në spitalin e Gostivarit, të cilët dyshohen se janë helmuar nga uji për pije në këtë qytet.
Zulbeari, ka deklaruar se janë angazhuar drejtpërdrejtë për gjetjen e shkaktarit të këtij helmimi, duke filluar përmes anketimeve epidemiologjike dhe marrjes së mostrave, për të arritur në burimin e problemit.
Postimi i plotë, nga Zulbeari:
“Sot, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, z. Sasho Klekovski, dhe Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gostivarit, ishim në Gostivar për të ndjekur nga afër gjendjen e pacientëve të paraqitur me simptoma gastrointestinale.
Qendra e Shëndetit Publik është e angazhuar drejtpërdrejt në identifikimin e shkaktarit të kësaj situate. Ekipet tona kanë filluar anketimet epidemiologjike dhe marrjen e mostrave, të cilat janë thelbësore për përcaktimin sa më të shpejtë të burimit të problemit.
Apelojmë tek të gjithë pacientët që paraqiten në spital me simptoma të tilla që, krahas marrjes së ndihmës mjekësore, të bashkëpunojnë edhe në plotësimin e anketës epidemiologjike. Çdo informacion i dhënë nga qytetarët është me rëndësi të madhe dhe na ndihmon në gjetjen e shkaktarit.
Qendra e Shëndetit Publik do të vazhdojë të jetë pranë çdo qytetari, duke punuar 24 orë në ditë, në koordinim me të gjitha institucionet kompetente, deri në tejkalimin e plotë të situatës dhe identifikimin e shkaktarit“, ka shkruar, ai.














