Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për emërimin e pjesshëm të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është në kundërshtim me dekretin e saj të vitit 2021 dhe kërkesën drejtuar PDK-së për propozimin e anëtarëve për KQZ.
Ndonëse ajo ia kishte kërkuar PDK-së dy kandidat për anëtarë në KQZ, Osmani ka emëruar vetëm njërin propozim.
Në këtë kërkesë drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, presidentja Osmani ia kërkon kësaj partie propozimet me shkrim për dy kandidatë.
Kërkesa që mbanë datën 09.03.2026, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, në dy paragrafët e saj flet në shumës për propozimin e kandidatëve, jo të një kandidati.
Në përputhje me nenin 61, paragrafi 6 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, lus subjektin tuaj politik, që brenda afatit prej shtatë (7) ditësh, të më propozojë me shkrim kandidatët për anëtarë/e të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)”, thuhet në paragrafin e parë të kërkesë së Osmanit ndaj Hamzës.
Edhe në paragrafin e dytë kërkesa flet në shumës për kandidatët, duke kërkuar që se bashku me propozimet të dërgohet edhe dokumentacioni përkatës.
Luteni që propozimeve tuaja t’i bashkëngjitni edhe dokumentet përkatëse, që dëshmojnë se kandidatët e propozuar për anëtarë/e të KQZ-së i përmbushin kërkesat ligjore që rrjedhin nga Ligji Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në paragrafin e dytë të kërkesës.
Vjosa Osmani, nuk ka respektuar trashëgiminë e saj të vendimeve që i mori nga zyra e të parës së shtetit për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndonëse në vitin 2021 ajo kishte vendosur që dy partive më të madhe të iu emërohen nga dy anëtar në KQZ, tani ajo ka vepruar ndryshe.
Nacionale ka mësuar se presidentja Osmani ka nxjerrë dekretet për emërimin e 9 nga 10 anëtarët e KQZ-së, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare.
Më e dëmtuara në këtë proces ka mbetur Partia Demokratike e Kosovës.
Nga burimet e veta gazeta ka mësuar se Osmani ka emëruar 2 nga 3 propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje (Alban Krasniqin dhe Violeta Salihun) dhe vetëm 1 nga 2 propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës (Ilir Gashin).
I propozuari i dytë i PDK-së, ishte ish-deputeti Rashit Qalaj, nuk është emëruar nga presidentja.
I njëjti burim i ka treguar gazetës se anëtarët tjerë të emëruar janë Sami Hamiti (LDK), Muharrem Nitaj (AAK), Stefan Filipoviq (LS), Mufera Sinik (KDTP), Delvir Tairi (KV) dhe Shukrije Stoall (PSA).
Betimi i këtyre 9 anëtarëve të KQZ-së do të bëhet më 27 mars 2026, në orën 11:00.
Lëvizja Vetëvendosje, në kundërshtim me nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës ka kërkuar nga presidentja Osmani që t’i emërohen 3 përfaqësues në KQZ nga 6 sa i takojnë subjekteve politike shqiptare.
Ndonëse zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor të vitit 2025, janë mbajtur vetëm për fuqinë e partive politike në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje, e cila fitoi mbi 51% të votave, ka kërkuar që ashtu si gjysma e Kuvendit të Kosovës t’i takojë edhe gjysma e ulëseve të caktuara për grupet parlamentare të subjekteve politike shqiptare në KQZ.
Pretendimi i Vetëvendosjes për anëtarin e tretë e ka lënë partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës, pa anëtarin e dytë në KQZ.
Deri me tani PDK-ja nuk ka reaguar në lidhje me këtë çështje. Partia e Bedri Hamzës sot në ora 14:00 ka paralajmëruar një konference për media. Ende nuk dihet se për çfarë teme është thirrur kjo konferencë.















Comments are closed