Me Çmimin Nobel të Paqes 2026 vlerësohet juristja nga Afrika e Jugut Navanethem “Navi” Pillay. Këtë e njoftoi juria në Oslo. Pillay ka qenë Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, transmeton KDP.MK.
Për çmimin prestigjoz Nobel i Paqes 2026 ishin nominuar 287 personalitete dhe organizata. Sivjet Nobeli i akordohet aktivistes dhe juristes së karrierës nga Afrika e Jugut Navanethem Pillay. Ajo ka qenë nga 2003 deri në vitin 2008 gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Nga viti 2008 deri në vitin 2014 shërbeu si Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Pillay është gjithashtu gjyqtare ad hoc në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjen ligjore Gambia kundër Mianmarit.
Navanethem Pillay pas studimeve dhe karrierës si juriste në Afrikën e Jugut, ka mbrojtur doktoraturën lidhur me vështirësitë e arritjes së drejtësisë kur, brenda një shteti, ligji keqpërdoret si instrument politik. Diplomimi i saj në universitetin prestigjioz Harvard i mundësoi kthimin në Afrikën e Jugut me një prestigj më të madh në sistemin gjyqësor. Në vitet 1980, Pillay ligjëroi në Universitetin e KwaZulu-Natalit. Në vitin 1992, së bashku me amerikanen Jessica Neuwirth, ajo ishte bashkëthemeluese e organizatës ndërkombëtare për të drejtat e grave Equality Now (“Barazi Tani”), ku u angazhua për përfshirjen e të drejtave civile dhe lirive themelore në kushtetutën e ardhshme të Afrikës së Jugut. Nga viti 1992 deri në vitin 1995 ajo ishte anëtare e bordit drejtues të organizatës.















Comments are closed