Flakron Bexheti: Është e vërtetë që mbrëmë iu përgjigja ftesës së bashkëpartiakëve të mi për një iftar të përbashkët në Tetovë , në mesin e të cilëve ishin deputetët e ASH-së, Ilir Demiri dhe Mimoza Musa, si dhe ministri Azir Aliu. Aty ishin shumica dërrmuese e aktivistëve që nga ditët e themelimit. Ishte një ndjenjë e sinqertë ritakimi dhe reflektimi.
Me vetëdije nuk u prononcova publikisht, sepse e dija që prezenca ime do të interpretohej politikisht. Për mua, ajo prani kishte vetëm një kuptim: nevoja për ribashkim. Nuk desha që një deklaratë e imja të përdorej për të dëmtuar dikë apo për të ushqyer narrativën e zakonshme se “edhe një eksponent tjetër braktisi …”. Ideja duhet të jetë më e madhe se individët.
Megjithatë, pasi dëgjova një pjesë të intervistës së Arben Taravari dhe mënyrën si u paraqit prezenca ime, ndjeva keqardhje. Reduktimi i një angazhimi politik në ambicie për post është jo vetëm i pasaktë, por edhe i padrejtë. Aq më tepër kur dihet se dikur kam hequr dorë nga pozita me kërkesë të tij, për hir të kalkulimeve politike që ai i konsideronte të domosdoshme në atë moment.
Nuk e bëj këtë reagim për polemikë personale. E bëj sepse besoj se niveli i debatit duhet të jetë më i lartë se kaq. ASH nuk u ndërtua mbi poste, por mbi sakrificë, besim dhe vullnet të anëtarësisë. Kur vendimet merren pa respektuar këtë vullnet, dhe kur përgjegjësia zhvendoset te të tjerët, dëmi nuk mund të jetë i përbashkët.
Ribashkimi nuk ndërtohet mbi insinuata, por mbi sinqeritet dhe respekt reciprok.















Comments are closed